Presidentja Osmani: Është çështje orësh heqja e barrikadave në veri të Kosovës

28 dhjetor 2022 | 21:53

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se është çështje orësh heqja e barrikadave në veri të vendit dhe dakordimi tashmë është bërë.

Osmani ka deklaruar se nuk mund të pritet më shumë, prandaj nëse nuk hiqen, Kosova do të veprojë, por në koordinim me aleatët ndërkombëtarë.

“Është çështje orësh dhe nëse nuk largohen përfundimisht natyrisht se duhet të ketë veprim të menjëhershëm por të dakorduar të institucioneve tona së bashku me institucionet ndërkombëtare të sigurisë. Dakordimi tashmë është bërë, është çështje orësh nuk mund të pritet më shumë. Në qoftë se nuk hiqen, institucionet e Kosovës do të veprojë. Sa më shumë që po mbesin, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve. Besoj që edhe do të jetë. Në 24 orët e ardhshme do të insistoj që secili veprim, të bëhet në koordinim me aleatët tanë.”, tha Osmani.

Për shkak të barrikadave, rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, janë bllokuar. Këto dy pika kufitare, që nga 10 dhjetori janë të mbyllura.

Autoritetet në Kosovë më 27 dhjetor mbyllën edhe pikën kufitare të Merdares, pasi në anën serbe të kufirit, u vendosën barrikada.

Për vendosjen e barrikadave, Kosova fajëson “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia. Beogradi ndërkaq ka shprehur përkrahjen për barrikadat dhe ka thënë se ato nuk do të hiqen deri kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba. Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
BESIR LURI SHPALL TE PAVLEFSHME DIPLOMEN E SH.M.L "DARDANIA "…