Presidentja Osmani: Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur

26 korrik 2023 | 10:52

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se lufta për drejtësi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kauza për Kosovën portretizohen më së miri në jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare- Adem Demaçi.

“Liria e popullit ishte më e rëndësishme se sa ajo individuale. Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur, guximit dhe vullnetit të paepur për të mbijetuar pavarësisht rrethanave. Përgjatë gati tri dekadave të burgut, ai mbajti peshën e padrejtësisë, duke kultivuar humanizmin dhe ruajtur shpresën për një të nesërme më të mirë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani ka theksuar se vetëmohimi i Demaçit është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit, “ndaj e kujtojmë me respekt në këtë përvjetor e përherë”.

Figura e Demaçit në historinë e vonë të Kosovës është thesar më vete, si një nga artikuluesit e parë të thirrjeve për bashkim të Kosovës me Shqipërinë qysh në vitin 1959; nga kur edhe do të fillonte jeta e tij e rezistencës së madhe, për çka edhe do të mbante 28 vite burg në kohërat shtypëse të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Demaçi nga vetë Parlamenti Evropian ishte dekoruar me Çmimin Saharov për Paqe në vitin 1991, çmim të cilin e mbanin figura të mëdha botërore si Nelson Mandela.

Janë një numër çmimesh ndërkombëtare që Demaçi, me shembullin e tij të personifikuar prej liridashësi, i ka pranuar.

Demaçi është po ashtu autor i veprës së madhe letrare shqipe “Gjarpijt e gjakut”, ku si temë bosht e ka gjakmarrjen në viset shqiptare.

Adem Demaçi ndërroi jetë në moshën 82 vjeçare në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas më shumë se 4 vjetëve e gjysmë, Prokuroria e…