Presidentja Osmani i kundërpërgjigjet Hillit: Vetëm Rusia është më larg NATO-s sesa Serbia
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar pohimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova. Osmani tha se Serbia fle ende mbi varreza masive dhe se nuk është ballafaquar ende me të kaluarën gjenocidale. Osmani tha se kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s ofendon jo vetëm çdo shtet demokratik por edhe të gjitha viktimat e Serbisë së Millosheviqit.
“Serbia është shtet që kurrë nuk është ballafaquar me të kaluarën e saj gjenocidale. Është një shtet i cili ka kryer gjenocid, ka kryer krime kundër njerëzimit dhe është një shtet që ka kryer krime lufte dhe akoma fle mbi varreza masive. Kështu që më lejoni të them troç, kushdo që e konsideron Serbinë si një shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkret drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar viktimat e Serbisë së Millosheviqit e cila është njëjtë sot sikurse ka qenë para disa dekadave”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Ambasadori amerikan në Serbi Kristofer Hill, gjatë një interviste për transmetuesin publik serb, deklaroi se aktualisht Serbia është më pranë aleancës ushtarake perëndimore sesa Kosova, duke thënë se NATO-ja punon çdo ditë me ushtrinë serbe, mban trajnime dhe ushtrime. Nga ana tjetër ambasadori amerikan në Kosovë Jeffri Hovenier, ka reaguar pas kërcënimeve që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë në drejtim të Kosovës. AI tha se populli duhet të fle gjumë pasi në Kosovë ndodhet aleanca ushtarake më e fortë në botë
“Mund të them që përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që SHBA-ja ka ofruar qëndrojnë të forta si kurrë më parë. Ne flemë rehat sa i përket këtij kërcënimi. Mendojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme dhe mendoj se populli i Kosovës duhet të flejë rehat sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani të madhe këtu, që është e gatshme të bëjë gjënë e duhur”, deklaroi Jeff Hovenier, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Duke komentuar deklaratën e ambasadorit Hill që tha se “Serbia është më afër NATO-s se Kosova”, Hovenier tha se dëshiron të kundërshtojë të gjithë ata që bëjnë krahasime. Hovenier tha se Uashingtoni mbështet Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.
“Kosova rreshtohen shumë mirë me NATO-s sa i përket vlerave, institucioneve. Pra, më shumë ka të bëjë me zgjidhjen e këtyre sfidave të tjera dhe të avancojë. Ne presim që Kosova një ditë të jetë anëtare me të drejta të plota e NATO-s. Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përkrahim këtë”, u shpreh Jeff Hovenier, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në NATO dhe fillimisht po kërkojnë që të bëhen pjesë e Programit për Partneritet për Paqe.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.700 trupa në Kosovë, përfshirë edhe forcën rezervë.