Presidentja Osmani i pret sot në takim përfaqësuesit e partive politike për datën e zgjedhjeve

31 korrik 2024 | 08:32

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të takohet me përfaqësuesit e partive politike për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Partitë politike në vend tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim me të parën e shtetit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Burimet e gazetës online Reporteri.net kanë thënë se Kurti është kryetari i vetëm nga partitë politike që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim që do të mbahet të martën më 31 korrik. Kurti në këtë takim e ka deleguar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën.

Gazeta online Reporteri.net raportoi sot se ftesa ka qenë vetëm për kryetarët e subjekteve politike dhe jo për nënkryetarët. Të njëjtat burime kanë thënë se kryeministri Kurti do të kthehet të martën në mbrëmje (sonte) nga Parisi.

Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Vlora Çitakut, në një konferencë për medie të mbajtur të shtunën më 27 korrik, ajo theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

“PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar të shtunën për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

“Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Reporteri.net.

Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i kësaj partie.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folur…