Presidentja Osmani i reagon BE-së për urën e Ibrit: Vuçiqi s’ka çka pyetet për hapjen e urave në Kosovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka reaguar deklaratës së Peter Stanos që në emër të Bashkimit Evropian (BE), ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.
Osmani ka theksuar se cështja e urës nuk duhet të jetë temë e dialogut sepse sipas saj kjo do ishte shkelje e rëndë e “e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
“Reagim ndaj deklaratës së sotme të BE-së se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë. Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”, tha ajo.
Presidentja u shpreh se Aleksandër Vuçiq s’ka pse pyetet se kur hapet urat në territorin e Kosovës.
I vetmi dialog për këtë cështje sipas saj duhet të jetë i brendshëm në Kosovë, mes institucioneve të sigurisë dhe partnerëve sic është NATO.
“Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, tha ai.