Presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave
Presidentja Osmani në drekën tradicionale të Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian me krerët e Ballkanit Perëndimor
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York, mori pjesë në drekën tradicionale me krerë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Para homologëve të saj, Presidentja Osmani ka ritheksuar se prej katër vjetësh, institucionet e BE-së kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike.
Ndërkaq në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbej si satelit asaj për destabilizim të rajonit.
Në takimin e organizuar nga z.Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër.