Presidentja Osmani kujton viktimat hebreje në Ditën e Holokaustit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, bëri homazhe te pllaka përkujtimore për hebrenjtë që u zhdukën në kampet e nazistëve gjatë Holokaustit.
Osmani ka thënë se kjo ditë shërben si një kujtesë e mizorive të kryera gjatë një prej periudhave më të errëta të historisë dhe shërben si një thirrje për veprim për të gjithë ne për të kujtuar dhe nderuar viktimat e Holokaustit.
“Nuk duhet të harrojmë asnjëherë mizoritë e së kaluarës dhe duhet të vazhdojmë të qëndrojmë kundër antisemitizmit, urrejtjes dhe racizmit, sot dhe çdo ditë. Është e rëndësishme që t’i kujtojmë edhe veprimet e shqiptarëve gjatë Holokaustit, të cilët mirëpritën refugjatët hebrenj me krahë hapur, duke dëshmuar dhembshurinë dhe humanizmin. Kjo shërben si një kujtesë për fuqinë e mirësisë përballë së keqes”, ka thënë Osmani.