Presidentja Osmani: Lista Serbe është angazhuar në akte terroriste, akte agresioni dhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës

24 dhjetor 2024 | 17:32

Për moscertifikimin e Listës Serbe, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se aty ka individë që vazhdimisht kanë kryer akte terroriste dhe agresioni, si dhe kanë cënuar rendin kushteutes të Kosovës.
Për Reporteri.net, nga Presidenca kanë thënë e KQZ vendos në mënyrë të pavarur. Sipas Osmanit, çdo vendim i këtij institucioni duhet të respektohet.
“Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është një institucion i pavarur kushtetues, i cili vendosë në mënyrë të pavarur. Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja, duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Të hënën, në mbledhjen e KQZ-së, Lista Serbe nuk u certifikua.
Lidhur me këtë pati reagime të shumta nga faktori ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën të shqetësuara për moscertifikimin e Listës Serbe.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane ka thënë për Reporteri.net se ky veprim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të dëmtojë zgjedhjet e lira.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Në anën tjetër, ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka thënë se procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me BE’në dhe SHBA’në lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe. Zbatimi i barabartë i ligjit për të gjithë është esencial. Procesi i certifikimit është procedurë formale strikte që nuk duhet të politizohet”, ka shkruar Rohde në llogarinë e tij në platformën “X”.
Lista Serbe është ankuar sot në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga PZAP kanë konfirmuar se kanë ka pranuar ankesën dhe do të vendosë brenda 48 orëve, sipas afatit ligjo Nga Lista Serbe, sot në një konferencë për media kanë konfirmuar se do të paraqesin ankesë, duke e cilësuar këtë vendim si të kundërligjshëm
“Besojmë se kjo është bërë me urdhër të Albin Kurtit për të penguar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe është dëshmi se sa shumë dëshiron Kurti të eliminojë serbët nga këto treva. Kurti nuk dëshiron të shohë anëtarë të Listës Serbe në Kuvend, por dëshiron të shohë në të serbë të bindur si Nenad Rashiq”, ka thënë në konferencën për media Zlatan Elek, kryetar i Listës Serbe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Bujanocit Arbër Pajaziti, është ankuar te…