Presidentja Osmani mbërrin në New York, nesër përballet me Vuçiqin në OKB
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka mbërritur në New York.
Ajo nesër do ta ketë përballjen e radhës në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Në seancën e KSKB-së, Presidentja Osmani pritet të flasë për progresin, zbatimin e reformave, të drejtat e njeriut, demokracinë, sundimin e ligjit si dhe fusha të tjera me rëndësi për Kosovën.
Presidentja po ashtu do të flasë për domosdoshmërinë për drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Përgjatë qëndrimit në New York, Presidentja Osmani pritet të takohet e koordinohet me disa nga përfaqësuesit e përhershëm të shteteve mike në Kombe të Bashkuara.
Takimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të mbahet të hënën në ora 16:00, sipas kohës lokale të Kosovës, respektivisht në ora 10:00, sipas kohës së New York-ut.