Presidentja Osmani merr pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dame me ftesë të Macron
Katedralja ikonike në Paris, Notre Dame, zyrtarisht do të rihapë dyert e saj më 7 dhjetor, pas zjarrit më 2019 që pothuajse shkatërroi tërësisht ndërtesën 861-vjeçare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t`i bashkohet sot liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame në Francë.
Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron. Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée , në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni.
“Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron. Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée, në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni”, njofton Presidenca e Kosovës.
Kjo ceremoni mbledh në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe ky tubim po shihet si momente i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, Princi William i Britanisë dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish – një listë prej 1.500 të ftuarish – përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame që mbahet nën harkun gotik të ndërtesës. Ceremonia do të udhëhiqet nga kryepeshkopi Laurent Ulrich.
Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme që janë paraparë për të shtunën, autoritetet kanë vendosur që e gjithë ceremonia të mbahet brenda Notre Dame.
Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se Notre Dame është një monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës.