Presidentja Osmani nesër pret në takim Escobarin, më pas i adresohen bashkë mediave

12 mars 2024 | 19:26

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të pres në takim nesër, e mërkurë, të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në orën 10:00, ka mësuar gazeta online Reporteri.net nga burimet brenda Presidencës.

Pas takimit të përbashkët, Osmani bashkë me Escobarin pritet t’i adresohen mediave në një konferencë.

Krahas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, që Departamenti i Shtetit i ka paralajmëruar në njoftimin e lëshuar dje, emisari amerikan takim do të zhvillojë edhe me krerët e opozitës.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar se kryetari Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet ftesës së emisarit amerikan.

Edhe nga AAK-ja jo zyrtarisht i kanë konfirmuar se edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj do të jetë pjesëmarrës në këtë takimin e së mërkurës, që sipas tyre “ka kohë që është kërkuar nga stafi i Escobarit”.

Merret vesh se ftesë për takimin me opozitën ka edhe kryetari i PDK-së, ndonëse jo zyrtarisht nga kjo parti thanë se nuk janë në dijeni për zhvillimin.

Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.

“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”. Reporteri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familja Iseni nga fshati Tërnoc i Komunës së Bujanocit po…