Presidentja Osmani ngushëllon familjen e producentes Berisha
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjen Berisha për vdekjen e producentes Vjosa Berisha.
Ajo ka thënë se Berisha ishte model i gruas së guximshme e stoike.
Osmani ka theksuar se regjisorja e njohur ka dhënë kontribut të madh në industrinë e filmit.
Më poshtë deklarata e saj e plotë:
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të producentes së filmave, znj. Vjosa Berisha.
Ajo ishte jo vetëm një profesioniste e shquar, por edhe model i gruas së guximshme e stoike, ndaj e tillë do të mbetet në kujtesën tonë.
Kontributi i saj në industrinë e filmit është i çmuar. Ajo la pas një festival filmi, të cilin e bashkëthemeloi dhe i cili do të mbetet simbol me të cilën do ta kujtojmë përherë.
Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!
Në këto çaste të vështira për ju, bashkëndjej me Familjen Berisha!
I përhershëm qoftë kujtimi për znj.Vjosa Berisha”.