Presidentja Osmani për Anton Berishën: Do të mbahet mend për kontributin e tij
Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, të afërmit, kolegët dhe bashkëveprimtarët për ndarjen nga jeta të ish-zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës dhe ish-ambasadorit, Anton Berisha.
“Me dhimbje të thellë pranuam lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-zëvendësministrit të Jashtëm të Kosovës dhe ish-ambasadorit, Anton Berisha”, shkroi Osmani.
Ajo tha se Berisha do të mbahet mend për kontributin e tij në përfaqësimin e Kosovës dhe në shërbim të interesave të Kosovës.
“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe bashkëveprimtarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.I përhershëm qoftë kujtimi për Anton Berishën!”, ka shkruar Osmani.
Berisha vdiq dje pas një sëmundje të shkurtër, siç njoftoi familja e tij.
Homazhet mbahen sot nga ora 09:00 deri në orën 12:00, në Kishën Katolike “Shën Katarina” në Pejë, ndërsa varrimi i tij do të bëhet në orën 13:00 në varrezat katolike në Pejë.