Presidentja Osmani: Për herë të parë në histori, Kosovës iu hapën dyertë edhe në Samitin e NATO-s

21 nëntor 2024 | 10:12

Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara, si dhe me partnerët e tjerë në Evropë e përtej, riafirmojnë rolin tonë si një forcë proaktive për paqen dhe zhvillimin në rajonin tonë dhe më gjerë.
Pjesëmarrja jonë aktive në samite dhe forume ndërkombëtare, ka fuqizuar gjithnjë e më shumë zërin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Për herë të parë në histori, Kosova është ftuar në samite edhe të organizatave ku nuk është anëtare, siç ishte samiti i NATO-s dhe organizime të tjera ndërkombëtare ku dëshmuam se rëndësia e një shteti nuk përcaktohet vetëm nga madhësia gjeografike apo ekonomia, por edhe nga rrëfimi ynë, shembulli që japim si dhe vlerat që mbrojmë.
Veprimet e politikës sonë të jashtme janë shtrirë edhe në kontinente, rajone e shtete të tjera, përtej Evropës e SHBA-ve, duke përfshirë Afrikën, Azinë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine. Kjo shtrirje është më shumë se simbolike, ngase përfaqëson aspiratën tonë për bashkëpunim gjithëpërfshirës që i kapërcen kufijtë apo distancat gjeografike.
Vetëm deri tani në vitin 2024, kam realizuar dhjetëra vizita ndërkombëtare e qindra takime me liderë dhe palë të interesuara nga i gjithë bota. E këto vizita e komunikime në interes të Kosovës do të vazhdojnë edhe në pjesën e mbetur të vitit dhe tutje përgjatë gjithë angazhimit tim politik. Çdo vizitë ka hapur kapituj të rinj bashkëpunimi në fushat nga siguria deri te zhvillimi ekonomik. Veçanërisht, politika jonë e jashtme proaktive ka adresuar interpretimet e veprimet dashakeqe nga Serbia në lidhje me atë se çfarë është e çfarë përfaqëson sot Kosova. Përgjigja ka qenë përherë një dhe e vetme: Kosova e lirë, e pavarur, sovrane e demokratike është një realitet i pakthyeshëm!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin vjetor…