Presidentja Osmani: Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes

06 korrik 2023 | 22:56

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalim në festën e organizuar nga Ambasada e ShBA’së për shënimin e 247-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por një udhërrëfyes për Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë lart nga Shtetet e Bashkuara, unë gjithmonë them se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi se Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat, por më tepër një udhërrëfyes, një udhërrëfyes dhe një udhëheqës në përpjekjet tona globale për të mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë”, theksoi Osmani, raporton Kosova Press.

Për dallim nga Osmani, Kryeministrit Albin Kurti nuk i është dhënë fjala, siç ka ndodhur zakonisht në festat e kaluara, kur të dy krerët e shtetit kanë mbajtur fjalime në ceremoni.

Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier.

Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për ta bërë këtë.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Halil Matoshi ne emisionin “Politiko” në Kanal 10 ka…