Presidentja Osmani: Përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright

27 prill 2022 | 21:03

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i bënë homazhe të mërkurën figurës së ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gruas së parë që drejtoi Departamentin amerikan të Shtetit, në shërbimin përkujtimor për ndera të saj që mbahet në Uashington.

“Sot, në Washington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright”, ka shkruar Presidentja Osmani në Facebook duke i bashkangjitur edhe disa fotografi nga ceremonia lamtumirëse e Albright.

“Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare”.

“Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright!”, ka shkruar Osmani në mesazhin përkujtues për ish-Sekretaren Albright.

Shërbimi përkujtimor i mbajt sot në mesditë në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit. Sipas një zëdhënësi të familjes Albright, më shumë se 1,400 njerëz ishin të pranishëm, duke përfshirë ministra të jashtëm, ambasadorë dhe anëtarë të Kongresit.

Presidenti Biden, ish-Presidenti Bill Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe tre vajzat e zonjës Albright mbajtën fjalime në funeralin për ish-sekretaren Albright. Ish-sekretarja e shtetit Condoleezza Rice lexoi disa vargje nga Bibla.

Ish-presidenti Barack Obama, ish-zonja e parë Michelle Obama dhe ish-nëndëspresidenti Al Gore morën pjesë në këtë ceremoni së bashku me zyrtarë aktualë të administratës, përfshirë Sekretarin e Shtetit Antony Blinken.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…