Presidentja Osmani përkujton masakrën e Rezallës

05 prill 2023 | 13:11

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Rezallës në 24-vjetorin e saj.

“Më 5 prill të vitit 1999, forca të regjimit gjenocidal të Serbisë, rrethuan shtëpitë e fshatit Rezallë dhe në mënyrë mizore vranë 98 djem e burra, banorë të fshatit Rezallë dhe të fshatrave përreth. Më pas, forcat serbe kryen krimin e dytë çnjerëzor mbi ta, duke i zhdukur trupat e pajetë të 44 të vrarëve. Trupat e disa të vrarëve janë gjetur kohë më pas në Rudnicë të Rashkës, në Serbi”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se masakra e Rezallës dëshmoi edhe një herë tipologjinë e masakrave të kryera, të planifikuara e të udhëhequra nga forcat shtetërore serbe

“Synimi i së cilave ishin sulmet përndjekëse masive, vrasjet, dhunimet, djegia dhe shkatërrimi i pronës, deportimi i dhunshëm dhe shfarosja e popullatës civile shqiptare. Secili nga civilët e vrarë në këtë masakër e ka historinë dhe trashëgiminë e tij. Të gjithë së bashku, ndërkaq, janë dëshmi e krimeve makabre që ka kryer Serbia në Kosovë. Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për viktimat. Kujtim i përhershëm për to!”, ka deklaruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot me fillim nga ora 21:00 stadiumi “Camp Nou” do…