Presidentja Osmani pret në takim dy ministrat italianë  

22 nëntor 2022 | 20:07

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim zëvendëskryeministrin italian, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani dhe ministrin e Mbrojtjes, Guido Crosetto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim zëvendëskryeministrin Antonio Tajani, njëherësh ministër i Jashtëm i Italisë dhe ministrin e Mbrojtjes Guido Crosetto, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për dialogun me Serbinë.

Kosova e konsideron Italinë si një partnere, me të cilën synon thellimin e marrëdhënieve bilaterale në shumë fusha, ka theksuar Osmani, duke mirëpritur idenë e palës italiane për organizimin e një forumi të përbashkët ekonomik ndërmjet bizneseve të të dyja shteteve.

Sipas Osmanit, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e sundimit të rendit e ligjit. Ajo ka theksuar se Kosova është një vend me potencial të madh të të rinjve të kualifikuar dhe se ofron mjedis të përshtatshëm për investime të huaja.

Nga zëvendëskryeministri italian Osmani ka marrë mbështetje për liberalizimin e vizave, sikurse edhe për anëtarësimin ne Këshillin e Evropës. Osmani ka vlerësuar kontributin e Italisë në kuadër të KFOR-it dhe ka theksuar nevojën për shtimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

Duke u ndalur te zhvillimet e fundit në vend, Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë në koordinim me aleatët dhe po bëjnë përpjekje intensive për ta gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e targave brenda afatit 48-orësh.

Sipas presidentes, Serbia po përpiqet që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit ta destabilizojë Kosovën.

Ajo ka shprehur përkushtimin e Kosovës për paqe, siguri dhe sundim të ligjit në të gjithë territorin e vendit. Në këtë kontekst, ka potencuar se për sukses të procesit të dialogut, nevojitet trajtim i barabartë i palëve të përfshira.

Më tej, Osmani nënvizoi se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë frymë, ajo theksoi se procesi i dialogut nuk duhet lejuar të përdoret si instrument i Serbisë për ta minuar rrugën euroatlantike të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë vazhduar reshjet e dendura të shiut në pjesën perëndimore…