Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott

13 shkurt 2024 | 19:04

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilin e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve.

Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi lart angazhimin personal të ambasadorit Abott, i cili përveç rolit në promovimin e marrëdhënieve reciproke, mbështeti edhe shumë kauza të rëndësishme për shoqërinë kosovare.
“Ambasadori Abbott, për ne ju jeni më shumë se një përfaqësues diplomatik. Ju jeni një mik i vërtetë i Kosovës, një bashkëpunëtor i çmuar dhe një mbështetës i palëkundshëm i aspiratave tona për një shoqëri të lirë, të hapur dhe të drejtë. Përkrahja juaj e vazhdueshme për të drejtat e njeriut, paqen dhe integrimin e Kosovës në familjen euroatlantike, si dhe fuqizimin e përgjithshëm ndërkombëtar të saj tregon përkushtimin tuaj ndaj Kosovës”, është shprehur Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani i ka uruar ambasadorit Abbott sukses në angazhimet e mëtejme, duke e konsideruar një mik të Kosovës, i cili do të jetë gjithnjë i mirëseardhur në shtetin tonë.
Në takim, u shpreh gatishmëria e të dy bashkëbiseduesve që Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme, duke përfshirë çështjet e sigurisë, zhvillimin ekonomik, arsimin, kulturën dhe përforcimin e lidhjeve njerëzore ndërmjet qytetarëve të dy shteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Prishtinë janë mbajtur të martën konsultimet politike në mes…