Presidentja Osmani rikthen idenë e Thaçit për Komisionin për të Vërtetën e Pajtimin
Vjosa Osmani, presidente e tanishme e Kosovës, ishte ndoshta një nga kundërshtaret më të vendosura të Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës, i paraburgosur në Hagë nga ana e Gjykatës Speciale. Megjithatë, Osmani i është rikthyer një ideje të Thaçit. Më saktë, Presidenca e Kosovës e ka konfirmuar se po harton një akt rreth Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që e kishte inicuar si nismë Thaçi qysh në vitin 2017.
Në kohën kur ishte themeluar ky komision nga ana e Thaçit kishte ngjallur reagime e debate në Kosovë. Siç tregonte njëri nga anëtarët e stafit të ish-presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, draft dokumentet qenë përgatitur nga ekipi përgatitor.
“Nisma” e Osmanit
Megjithatë, në një përgjigje për BIRN-in, Bekim Kupina, zëdhënës i Presidencës së Kosovës, ka treguar se akti do të përkufizojë mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e këtij komisioni.
“Ekipi ligjor i presidentes po drafton aktin që do të përkufizojë mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit Presidencial për të Vërtetën dhe Pajtimin, si dhe emrin e tij të plotë, që do të ndërlidhet me mandatin e trasuar në Strategjinë e Drejtësisë Transicionale”, ka deklaruar për BIRN-in zëdhënësi i presidentes, Bekim Kupina.
Ai ka thënë se nisma “do të adresonte trashëgiminë e së kaluarës dhe do të ndihmonte paqen dhe pajtimin” në mesin e komuniteteve dhe do të fillonte brenda mandatit aktual të Osmanit, që përfundon në mars 2026.
Katër vite më parë, Artan Murati, atëbotë këshilltar i Osmanit, që ishte ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, tregonte se çështja ende nuk është diskutuar.
“Para se të vazhdohet më tej, duhet të bëhet një vlerësim i punës dhe mandatit të ekipit përgatitor”, kishte thënë Murati për BIRN.
Puna e Thaçit
Gazeta Nacionale kishte shkruar kohë më parë në lidhje me këtë çështje. Në një prononcim për Nacionalen, Ardian Arifaj, ish-këshilltar i ish-presidentit Thaçi, tregonte se ekipi përgatitor kishte përgatitur draft-dokumentet.
“Ekipi Përgatitor ka përgatitur draft-dokumentet që do të duhej të rregullonin themelimin dhe funksionimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, pra draft-statusin, draft-buxhetin, draft-organogramin. Ka përgatitur edhe kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim.” – tregonte Arifaj.
Joanna Hanson, kontribuese në këtë nismë në kohën e ish-presidentit Thaçit, ishte shprehur për Nacionalen se Ekipi Përgatitor ka bërë punë të madhe përgjatë kohës sa funksiononte.
“Një punë shumë e madhe është bërë në draftimin e Aktit që ende mbetet si draft. Është konsultuar gjerësisht në mbarë Kosovën dhe me akterët ndërkombëtarë. Drafti u publikua në vitin 2020. Kishte diskutime nëse krijimi i Komisioniet duhej të miratohej nga Kuvendi e jo përmes një dekreti presidencial. Por, kjo e fundit ishte larg më e preferueshme.” – tha ajo.
Marek Antoni Nowicki, një tjetër anëtar i ekipit përgatitor të këtij komisioni në kohën e Thaçit, e quante punën e ekipit si të “avancuar” dhe që prodhoi “shumë rezultate konkrete që meritojnë të theksohen”.
“Ekipi Përgatitor – që vepronte nën Ombellën e Zyres së Presidentit të kryesuar nga z. Ardian Arifaj – përbëhej nga një grup i jashtëzakonshëm ekspertësh në Kosovë të njohur për angazhimin e tyre në drejtësi tranzicionale, përfshirë ata që vinin nga shoqëria civile. Ata kanë bërë punë të madhe në hartimin konceptual të aspekteve kyçe të mekanizmit të KVP-së. Ata mbështeteshin në këto përpjekje nga një numër i top ekspertëve ndërkombëtarë.” – kishte deklaruar ai.
Në prononcimin për Nacionalen, Nowicki kishte kërkuar mirënjohje për ekipin përgatitor për punën e bërë.
“Më duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të ndarë ndjenjën që kam se anëtarët e Ekipit Përgatitor të KVP-së duhet të marrin ndonjë farë njohje dhe vlerësimi publik që e meritojnë për punën e bërë për Kosovën dhe popullin e saj” – kishte thënë ai.