Presidentja Osmani rithekson përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO

20 gusht 2024 | 13:45

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të martën në takim ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s për çështje të jashtme dhe siguri, ambasadorin Boris Ruge.

Presidentja Osmani ka përsëritur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, ndërsa ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO. Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.

Në takim është diskutuar edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.

Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.

Më tutje, presidentja Osmani e ka uruar Rugen për samitin e suksesshëm të NATO-s në Uashington D.C., ku Republika e Kosovës është përfshirë për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, e ku është riafirmuar uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka…