Presidentja Osmani: Serbia po mundohet që agresorin ta shndërrojë në viktimë
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po diskutohen raporti për Kosovën.
Temë kryesore e diskutimit është edhe agresioni i Serbisë në Banjska të Zveçanit.
Si pasojë e sulmit terrorist nga një grup i armatosur serbë u vra polici Afrim Bunjaku.
Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani.
Në fjalimin e saj, ajo tha se Serbia po përpiqet që agresorin ta shndërrojë në viktimë.
“Sot ajo se çka kemi dëgjuar nga Serbia është zgjatje e përpjekjeve për ta nxitur këtë aktin e agresionit”, tha Osmani.
Ajo theksoi se Serbia ka dashur ta shohë Kosovën sikur Krimenë, por që nuk ia ka arritur qëllimit.
“U zu në befasi për shkak të përkushtimit të policisë së Kosovës. Në ditën e sulmit institucionet e Kosovës kanë mbajtur kontakte me praninë ndërkombëtare ashtu siç ka qenë historikisht. Do të vazhdojmë që të bashkëpunojmë me aleatët tanë që t’i kundërvihemi akteve të tilla dhe që t’i parandalojmë që ato të mos ndodhin më”, tha ajo.
E para e shtetit të Kosovës shtoi se këto grupe terroriste dhe paramilitare janë financuar, trajnuar, armatosur dhe strehuar nga një burim, e që është Serbia.