Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të legjendës së boksit Xhevdet Peci
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për familjen, Klubin e Boksit “Prishtina” dhe komunitetin sportiv me rastin e ndarjes nga jeta të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për ikjen e hershme të legjendës së boksit kosovar, Xhevdet Peci. Ai na përfaqësoi denjësisht në këtë sport dhe na bëri krenar në kohëra të vështira. Pas vetes la një histori të bujshme në sportin e boksit duke qenë disa herë radhazi kampion, ndaj do të mbetet model për brezin e tashëm dhe të ardhshëm në këtë disiplinë sportive.
Do të jetojmë përjetësisht me kujtimin e dorëzës së hekurt të Xhevdet Pecit. Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit sportiv!”, thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentes Osmani.