Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e profesorit Metaj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për familjen e miqtë e profesorit Kadri Metajt, i cili vdiq sot në moshën 70-vjeçare.
Ajo ka thënë se puna dhe kontributi i tij në sferën akademike, do të mbetet testament dhe kujtim i përhershëm për të.
“E nderuar familje Metaj, jam thellësisht e pikëlluar nga shuarja e filozofit e profesorit universitar, Kadri Metaj. Puna dhe kontributi i tij në sferën akademike, do të mbetet testament dhe kujtim i përhershëm për të.
Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Shoqatës së Filozofëve të Kosovës! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.I përhershëm qoftë kujtimi për profesor Kadri Metajn!”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, sot ka vdekur profesori kosovar, Kadri Metaj.
Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit përmes rrjeteve sociale.
Metaj ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Filozofik.
Metaj kishte lindur në fshatin Kaliçan të Istogut në vitin 1954 dhe shkollimin e mesëm e kishte përfunduar në Istog. Studimet në drejtimin filozofi-sociologji i kishte përfunduar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1997. Ai magjistraturën e kishte mbaruar në Universitetin e Sarajevës.
Në vitin shkollor 1981/1982 Metaj kishte shkuar për specializim në Universitetin e Sorbonës, Paris IV në Francë.