“Presidentja Osmani ta emërojë përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ”

02 korrik 2021 | 19:50

Sot, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi të drejtën kushtetuese të Partisë Demokratike të Kosovës për të pasur edhe përfaqësuesin e saj të dytë në KQZ.

“Hedhja poshtë e kërkesës së presidentes Osmani për gjoja interpretim nga Gjykata Kushtetuese, në një çështje që ishte plotësisht ligjore dhe kushtetuese, flet për anshmërinë politike që ka marrë presidentja e vendit në përpjekje për të dëmtuar partitë opozitare”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Veprimi i saj i fundit për të mos emëruar përfaqësuesin e PDK-së dhe të një anëtari të subjektit politik VAKAT, ishte vetëm në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia dhënë asaj anëtarin e tretë që ishte paraparë të emërohej një bashkëpartiake e presidentes Osmani”, theksohet në komunikatën e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar presidenten të mos tregohet e anshme që t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës duke emëruar përfaqësuesin e dytë të PDK-së në KQZ dhe anëtarin tjetër nga subjekti politik VAKAT.

Në nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës është saktësuar qartë se si bëhet emërimi i anëtarëve nga radhët e grupeve parlamentare shqiptare. “Gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilat nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë”, thuhet në Kushtetutë.

“Sjellja e anshme politike e presidentes Osmani po e rrezikon demokracinë, pluralizimin politik dhe funksionimin e institucioneve të pavarura kushtetuese. PDK ka shprehur shqetësimin me kohë se presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, përmes orvatjeve në Gjykatën Kushtetuese, po tentojnë t’ia mohojnë një të drejtë kushtetuese PDK-së, si partia e dytë më e madhe politike në vend”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zvicra dhjetë minuta pas e barazoi rezultatin në 1-1, ka…