Presidentja Osmani takohet me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin
Para udhëtimit zyrtar për në selinë e NATO-s, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim pune komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jasharin.
Me këtë rast, Presidentja Osmani në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, u njoftua nga gjenerallejtënant Jashari me aktivitetet dhe zhvillimet aktuale në FSK, me theks të veçantë për procesin e realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit gjatë vitit 2023 dhe rritjen e mirëqenies se ushtarëve dhe ushtarakëve të FSK-së.
Po ashtu, Presidentja Osmani diskutoi me gjenerallejtënant Jasharin për bashkëpunimin dhe koordinimin e ngushtë me partnerin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me shtetet e tjera të NATO-s, lidhur me çështje të sigurisë në vend dhe rajon.
Të dy ritheksuan se vizioni ynë i përbashkët është që Republika e Kosovës të zhvillojë ushtrinë e saj në përputhje me standardet e vendeve anëtare të NATO-së, për të qenë forcë e ndërveprueshme në misionet e përbashkëta me forcat aleate në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe globale.