Presidentja Osmani takoi një delegacion nga shteti i Iowas
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar sot një delegacion të shtetit të Iowas, të përbërë nga përfaqësues institucionalë, kryetarë komunash, ushtarakë, përfaqësues të universiteteve, artit, kulturës, sportit, medies, dhe të rinj, të udhëhequr nga gjenerali i Gardës Kombëtare të Iowas, Timothy E. Orr.
Presidentja ka falënderuar shtetin e Iowas, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës. Ajo e ka vlerësuar vizitën e përfaqësuesve të shtetit të Iowas si sinjal i përkushtimit të ndërsjellë për t’i përafruar vendet tona në vazhdimësi dhe për t`i forcuar marrëdhëniet e shkëlqyeshme me aleatin e përhershëm të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Para delegacionit amerikan, Presidentja Osmani foli edhe për potencialin që ofron Kosova, duke përmendur përqindjen e madhe të të rinjve, shkollimin e tyre, sikurse edhe sukseset e sportistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare në Algjeri, ku ata fituan 6 medalje olimpike.
Në takim me delegacionin nga Iowa, Presidentja Osmani ka falënderuar Gjeneralin Orr për mbështetjen e vazhdueshme të Gardës Kombëtare të Iowas për Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke thënë se Kosova vazhdon të jetë e bashkërenduar me aleatët e saj për të kontribuar për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi ndihmën e vazhdueshme të Amerikës sikurse në ditët e errëta edhe në përpjekjet e Kosovës për pavarësi, ndaj kërkoi që kjo mbështetje të vazhdoj, duke e konsideruar këtë shtet zë të Kosovës.
Ndërkaq përfaqësues të shtetit të Iowas, falënderuan Presidenten Osmani për mikpritjen dhe e njoftuan për bashkëpunimin e mirë me komunat kosovare, duke përmendur binjakëzimin me disa prej tyre si dhe nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me disa universitete të Kosovës.