
Presidentja Osmani takon ambasadorin Rohde: Mbështetja gjermane, jetike për të ardhmen evropiane të Kosovës
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin diskutoi për zhvillimet më të fundit politike në vend dhe perspektivat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Në fokus të bisedës ishin konsolidimi institucional, ruajtja e stabilitetit politik dhe funksionimi demokratik i institucioneve të Kosovës. Presidentja Osmani vlerësoi rolin konstruktiv të Gjermanisë në mbështetjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Kosovë, duke theksuar se një partneritet i tillë është kyç për përparimin e vendit.
Një temë e veçantë e diskutimit ishte formimi i qeverisë së re në Gjermani. Presidentja Osmani shprehu bindjen e saj se angazhimi gjerman ndaj Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojë të mbetet një ndër prioritetet kyçe të politikës së jashtme të Berlinit, edhe në kapitullin e ri politik që po hapet, thuhet në komunikatë.
Presidentja dhe ambasadori Rohde riafirmuan rëndësinë e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, politik dhe kulturor. Osmani falënderoi Gjermaninë për përkrahjen e vazhdueshme në proceset integruese të Kosovës dhe theksoi domosdoshmërinë që kjo mbështetje të jetë e pranishme edhe brenda institucioneve të Bashkimit Evropian.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për organizimin e edicionit të sivjetmë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që do të mbahet në Prishtinë. Presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në këtë fushë, me qëllim fuqizimin e rolit të grave në proceset e paqes dhe sigurisë, si dhe avancimin e kësaj agjende në nivel ndërkombëtar.
Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për ruajtjen dhe zhvillimin e partneritetit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe për bashkëpunim të vazhdueshëm në çështjet që ndikojnë në paqen, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të vendit.