Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it: Pandëshkueshmëria është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi të enjten komandantin turk të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutas, me të cilin diskutoi për situatën e sigurisë në vend, por ka pasur edhe një vërejtje: pandëshkueshmëria ndaj sulmuesve të trupave të KFOR-it në maj të vitit të kaluar në pjesën veriore të Kosovës, inkurajon Serbinë të sulmojë prapë.
“Presidentja po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj. Ajo potencoi se bandat kriminale serbe të cilat sulmuan NATO-n fatkeqësisht akoma janë të lira dhe se pandëshkueshmëria ndaj atyre që kanë sulmuar KFOR-in në maj, është mesazh i keq dhe është inkurajim për Serbinë që të sulmojë prapë”.
Ajo falënderoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm për të garantuar siguri në tërë territorin e Kosovës. Në veçanti, ajo shprehu mirënjohje për shtimin e trupave të NATO-s të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë, posaçërisht pas sulmit të paramilitarëve serbë më 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit.
“Presidentja Osmani në takim me komandantin Ulutaş, ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe partnerit të saj primar të sigurisë, Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë”, thuhet në njoftimin.
Komandantja Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate të NATO-s, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe Ballkanin Perëndimor.