Presidentja Osmani udhëton për në ShBA me ftesë të sekretarit Blinken
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Uashington D.C., me ftesë të sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75-vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake.
Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s.
Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.
Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja.
Gjatë qëndrimit në Uashington D.C., presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë.
Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e tre partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Samiti i NATO-s në Uashington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.