Presidentja Osmani udhëton për vizitë në Islandë
Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Rejkjavik të Islandës, ku do të takohet me homologun e saj, presidentin Guðni Th. Jóhannesson, kryeministren Katrín Jakobsdóttir, kryetarin e Kuvendit Birgir Ármannsson dhe ministren e Punëve të Jashtme Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir.
Kjo është vizita e parë dypalëshe e një presidenti të Kosovës në historinë e raporteve në mes Islandës dhe vendit tonë.
Në këtë vizitë pune njëditore, temat e diskutimit të presidentes do të jenë intensifikimi i bashkëpunimit përgjatë presidencës islandeze të Këshillit të Evropës për të shtyrë përpara anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, thellimi i marrëdhënieve bilaterale me Islandën, avancimi i rrugës euroatlantike të Kosovës, si dhe çështje të tjera të interesit të përbashkët.