Presidentja Osmani: Vepra heroike e familjes Jashari ka vënë themelet e shtetit

05 mars 2022 | 13:55

Presidentja Vjosa Osmani ka folur në Kuvend për nder të 24 vjetorit të Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur sakrificat e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë familjes së tij.

“Neve sot na ka mbledhur në këtë seancë. Krenaria për heroin tonë legjendar, për familjen Jashari, për heronjtë tanë, për qëndresën e popullit tonë”, tha Osmani në foltoren e Kuvendit.

“24 vjet pas sulmit ndaj familjes Jashari, e rënies sa saj heroike, jemi mbledhur ta ripërtërijmë kujtesën për heronjtë tanë”.

“Adem Jashari dhe familja Jashari ngulmuan fort dhe dolën fitimtar ndaj një ideologjie të një regjimi gjenocidal”, u shpreh tutje Osmani.

Presidentja Osmani tha se ndaj familjes Jashari, sikurse edhe ndaj gjithë Kosovës, “rrethimi, torturat, vrasjet e burgosjet po bëheshin përditshmëri”.

“Vepra heroike e komandantit të UCK-së, Adem Jasharit, e sakrifica sublime  gjithë familjes Jashari për liri është ngjarja më e rëndësishme e cila ka vënë themelet e shtetit dhe do të mbesë gjithnjë në kujtesën e kombit shqiptar, e do të ruhet aty përjetësisht. Heroizmi dhe sakrifica e familjes Jashari shënoi këtë kthesë të rëndësishme në historinë e re të Kosovës, por ndikoi edhe në njohjen e realitetit të trishtë në Kosovë, prandaj edhe në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës. Pamjet e fëmijëve pleqve e grave u shndërruan për thirrjet e brohoritjeve të vlerave humane”, u shpreh Presidentja.

“Në Evropën e fundshekullit 20 po ndodhte sulmi më i egër i një regjimi totalitar e gjenocidal mbi një familje e mbi një popull, e cila gjithë çfarë kërkonte e donte ishte liria e kombit të vet”.

“Familja Jashari ishte e gjithë Kosova, ajo u bë theror i përpjekjeve të saj për liri, prandaj rezistenca e saj krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm ndërmjet shqiptarëve. Beteja e Jasharajve qe moment kthese në përpjekjen tonë për lëvizjen e armatosur. Ajo u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të reja, që edhe ata t’i bashkoheshin UÇK-së, e të sakrifikonin gjithçka nga vetja për ta jetësuar ëndrrën tonë për liri. Jehona e Prekazit preku zemrën e secilit shqiptar, prandaj ata u dyndën nga gjithandej rruzullit tokësor për t’u shndërruar në bartës të idealit të Ademit e të familjes Jashari”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur krerët e UÇK-së…