
Presidentja Osmani viziton kullën e Jasharëve, pritet nga baca Rifat
06 mars 2025
| 11:30
Presidentja Vjosa Osmani ka bërë sot homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe ka vizituar edhe kullën e Jasharëve, ku është pritur nga baca Rifat.
“Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara. Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi. Lavdi Familjes Jashari! Lavdi të gjithë heronjve të UÇK-së!”, ka shkruar Osmani në “Facebook”.