Presidentja pyetet a do t’i vizitojë krerët e UÇK-së në Hagë, nuk jep përgjigje por thotë se drejtësia do të triumfojë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur nga gazetarët nëse do t’i vizitojë krerët e UÇK-së që akuzohen në Hagë.
Ajo nuk ka dhënë përgjigje konkrete, por që ka shtuar se beson që drejtësia do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe në instancat tjera.
Në këtë kontekst, ajo thotë se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë.
“Ne besojmë që drejtësia sërish do të triumfojë, ashtu siç ka triumfuar edhe më parë në të gjitha instancat tjera të drejtësisë dhe besojmë se vendimi final do ta ri-dëshmojë për të satën herë më radhë që lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, ka qenë luftë për t’i mbrojtur civilët të cilët po sulmoheshin barbarisht nga forcat gjenocidale e Serbisë”, tha Osmani.
“Ne bëjmë gjithçka që është në duart tona që t’i mbështesim krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi në kontakt të vazhdueshëm përbrenda institucioneve edhe me avokatët e tyre, në mënyrë që çdo hap i yni të jetë hap që i ndihmon drejtësisë dhe jo hap që mund të keqpërdorej dhe të interpretohej si ndërhyrje që do t’i dëmtonte krerët e UÇK-së përgjatë këtij procesi”, tha Osmani.