![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/04/osmaniiii-1.jpg)
Presidentja: Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh si një mjet të rëndësishëm për stabilitet dhe zhvillimin e rajonit.
Në adresimin e fundvitit para deputetëve, presidentja Osmani ka thënë se Kosova do të luajë rol konstruktiv në këtë proces, duke dhënë propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit.
“E shoh dialogun me Serbinë si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Kosova do të vazhdojë që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces, duke ofruar propozime konkrete që mbrojnë interesat e vendit tonë, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarët tanë si dhe kontribuojnë në paqe dhe në stabilitet afatgjatë në tërë rajonin”, ka thënë Osmani.
E kjo gatishmëri, sipas saj nuk është edhe nga ana e Serbisë. Ajo ka shprehur shqetësimin se qëllimet e Serbisë po mbesin të njëjta dhe se Serbia ka pretendime territoriale ndaj Kosovës të cilat nuk i fsheh as në retorikë e as në praktikë.
Osmani ka thënë se Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë vendet e rajonit dhe Kosovën duke përdorur ide të shekullit të kaluar.
“Nuk e shohim këtë gatishmëri tek Serbia. Në fakt qëllimet e tyre mbesin të njëjta gjithherë sado që strategjitë ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës e këtë nuk e fsheh as në retorikë e as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia e ka për qëllim që të destabilizojë shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën duke përdorur logjikën e shekullit të kaluar. Prandaj rajoni ynë ka nevojë për intensifikim të vëmendjes evropiane dhe amerikane në mënyrë që të neutralizohet ndikimi i mëtejmë agresor ruso-serb në Ballkan”,ka thënë ajo.
Sipas, saj dialogu mund të ketë sukses vetëm nëse nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës në këtë proces.
“Dialogu nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Nga gabimet e së kaluarës duhet të marrim mësime edhe ne por edhe miqtë tanë në BE që e lehtësojnë këtë proces. Dialogu nuk është dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që të s’ëndërrohet në dialog për statusin, territorin, për funksionalitetin e brendshëm dhe për rendin kushtetues të vendit tonë”, ka thënë Osmani.