Presim fitore të bindshme

17 shtator 2019 | 15:26

Anëtari i Kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Rexhep Selimi, ka bërë me dije se aktualisht kjo lëvizje është në fazën përgatitore dhe të mobilizimit të strukturave të organizatës dhe të anëtarësisë që në fushatë të hyjë sa më e përgatitur.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se ky mobilizim i lëvizjes po pritet me frymën e fitores kudo që po shkojnë dhe të kushdo që po e takojnë.

Selimi ka deklaruar se Vetëvendosje do të fitojë sepse këtë e duan qytetarët. Sipas tij, qytetarët e duan ndryshimin dhe Albinin kryeministër.

“Pritjet tona janë reale. Presim fitore të bindshme. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Ne do të fitojmë sepse këtë e duan qytetarët e këtij vendi. Qytetarët e duan ndryshimin dhe ne jemi ndryshimi. Qytetarët nuk e duan krimin dhe korrupsionin dhe ne do t’i luftojmë krimin dhe korrupsionin, se s’ka kush tjetër. Qytetarët janë lodhur nga kapja e shtetit dhe ne do ta ç’kapim shtetin. Qytetarët e duan zhvillimin, prandaj po na mbështesin. Qytetarët duan arsim e shëndetësi më të mirë dhe ne këtë ua sigurojmë. Mbi të gjitha, ne do të fitojmë sepse qytetarët e duan Lëvizjen Vetëvendosje në qeveri dhe Albinin kryeministër”, është shprehur Selimi.

Ai ka ironizuar me të larguarit nga LV-ja duke thënë se mbështetja për lëvizjen dhe ardhjet e reja nuk po ndalen saqë kanë harruar se kush ka ikur tashmë.

“Të ikurit nuk kanë lënë asnjë zbrazëtirë. Zbrazëtirën e kanë marrë me vete. Mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje dhe ardhjet e reja nuk po ndalen saqë kemi harruar se kush ka ikur tashmë”, ka theksuar Selimi.

Ai nuk ka dashur ta komentojë përplasjen fizike në mes të zyrtarëve të LV-së dhe të PSD-së, duke thënë se nuk ia vlen të merret me disa tipa ‘kamikazësh’. “Jemi shumë aktivë edhe më shumë se çdoherë. Madje jemi aq aktivë saqë nuk ia vlen të merrem me disa tipa ‘kamikazësh’ që shkojnë nëpër studio për t’i dëmtuar emisionet më shumë sesa Lëvizjen. E vlerësoj aq shumë ‘Epokën e re’ saqë nuk dua t’ju marr hapësirë më shumë për këtë temë”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka theksuar se gara në mes të LV-së dhe LDK-së nuk e përjashton bashkëpunimin për qeverinë Kurti. Selimi ka vlerësuar se pas 6 tetorit Kosova do të jetë në kahun e duhur të zhvillimit të saj.

“Në kahun e duhur të zhvillimit të saj. Në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vlugun e punës së qeverisë në shërbim të qytetarëve. Në kahun e duhur të integrimit…”, ka thënë Selimi duke shtuar se në asnjë mënyrë Vetëvendosja nuk do të bashkëqeverisë me Listën Serbe. “Le t’i presim rezultatet njëherë e pastaj të flasim për këtë gjë, por ajo që dihet është se nuk do të qeverisin bartësit e ‘Prontos’ e të korrupsionit. Po ashtu, për motive të ndryshme prej të parës, nuk do të qeverisim assesi me Listën Serbe në asnjë variant për arsyen që gjithmonë e kemi bërë me dije”, është shprehur Selimi.

“Epoka e re”: Z. Selimi, si po pritet te qytetarët fushata elektorale e Lëvizjes Vetëvendosje dhe cila është gjendja reale në terren?
Selimi: Tani, në kohën kur ende nuk ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit, ne Lëvizja Vetëvendosje jemi në fazën përgatitore dhe të mobilizimit të strukturave të organizatës dhe të anëtarësisë, që në fushatë të hyjmë sa më të përgatitur. Ky mobilizim i Lëvizjes sonë po pritet me frymën e fitores kudo që po shkojmë dhe të kushdo që po e takojmë.

“Epoka e re”: Mosarritja e koalicionit parazgjedhor me LDK-në a mund të ketë efekt negativ në vota më 6 tetor meqë të dy partitë një koalicion të tillë e kanë quajtur koalicion të shpresës?
Selimi: Përderisa nuk kemi përballë ndonjë koalicion siç ka qenë PAN-i i 2017-s me shumë se 20 parti e subjekte, atëherë s’kemi pse të brengosemi. Gara në mes nesh dhe LDK-së tani, nuk e përjashton bashkëpunimin me LDK-në pas zgjedhjeve për qeverinë Kurti.

“Epoka e re”: Gjatë këtyre ditëve, përveç takimeve të ndryshme, kemi parë edhe aderime të shumta në Vetëvendosje. A mendoni se të ardhurit do ta plotësojnë atë hapësirën që kanë lënë ata që u larguan nga LV-ja, pra PSD-ja?
Selimi: Të ikurit nuk kanë lënë asnjë zbrazëtirë. Zbrazëtirën e kanë marrë me vete. Mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje dhe ardhjet e reja nuk po ndalen saqë kemi harruar se kush ka ikur tashmë.

“Epoka e re”: Nëpër zgjedhjet e kaluara Vetëvendosja ka qenë shumë aktive në fushatë me shpalosjen e programit qeverisës dhe kauzave të saj, në këto zgjedhje sikur kemi një zbehje meqë këtë parafushatë po e karakterizon një përplasje e ashpër, madje edhe me përleshje fizike nëpër studiot televizive të zyrtarëve të LV-së dhe të PSD-së. Si e keni parë dhe pse po ndodh kjo?
Selimi: Jemi shumë aktivë, edhe më shumë se çdoherë. Madje jemi aq aktivë saqë nuk ia vlen të merrem me disa tipa ‘kamikazësh’ që shkojnë nëpër studio për t’i dëmtuar emisionet më shumë sesa Lëvizjen. E vlerësoj aq shumë ‘Epokën e re’ saqë nuk dua t’ju marr hapësirë më shumë për këtë temë.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e LV-së nga zgjedhjet e 6 tetorit dhe pse qytetarët duhet ta votojnë këtë lëvizje?
Selimi: Pritjet tona janë reale: presim fitore të bindshme. Nuk ka se si të jetë ndryshe. Ne do të fitojmë sepse këtë e duan qytetarët e këtij vendi. Qytetarët e duan ndryshimin dhe ne jemi ndryshimi. Qytetarët nuk e duan krimin dhe korrupsionin dhe ne do t’i luftojmë krimin dhe korrupsionin, se s’ka kush tjetër. Qytetarët janë lodhur nga kapja e shtetit dhe ne do ta ç’kapim shtetin. Qytetarët e duan zhvillimin, prandaj po na mbështesin. Qytetarët duan arsim e shëndetësi më të mirë dhe ne këtë ua sigurojmë. Mbi të gjitha, ne do të fitojmë sepse qytetarët e duan Lëvizjen Vetëvendosje në qeveri dhe Albinin kryeministër.

“Epoka e re”: Por përfaqësuesit e subjekteve të tjera, duke iu referuar sondazheve të ndryshme, po thonë se Vetëvendosja nuk është e para. Cila është e vërteta në këtë drejtim?
Selimi: Ata këtë e thonë publikisht, por jo edhe në takimet e shtabeve të tyre. Ata tashmë e dinë se Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitojë zgjedhjet. Madje disa prej tyre që kanë qenë në pushtet, qysh tash kanë nisur të sillen si opozitë karshi nesh.

“Epoka e re”: Nëse do t’i fitoni zgjedhjet, me kënd do të qeverisni?
Selimi: Le t’i presim rezultatet njëherë e pastaj të flasim për këtë gjë. Por, ajo që dihet është se nuk do të qeverisin bartësit e ‘Prontos’ e të korrupsionit. Po ashtu, për motive të ndryshme prej të parës, nuk do të qeverisim assesi me Listën Serbe në asnjë variant për arsyen që gjithmonë e kemi bërë me dije.

“Epoka e re”: Si do të jetë Kosova pas 6 tetorit me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje?
Selimi: Në kahun e duhur të zhvillimit të saj. Në betejën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në vlugun e punës së qeverisë në shërbim të qytetarëve, në kahun e duhur të integrimit.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vazhdën e aktiviteteve policore për sigurinë e nxënësve për…