Presionet ndaj delegacionit të Kosovës dhe spekulimet rreth Konferencës së Rambujesë (19)

04 janar 2024 | 16:40

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (19)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së nëntëmbëdhjetë, ka folur për presionet ndaj delegacionit të Kosovës dhe spekulimet rreth Konferencës së Rambujesë. Ai ka treguar se gjatë dy javëve të para në Rambuje, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë punuan tërësisht të ndarë njëri nga tjetri dhe komunikimi zhvillohej nëpërmjet ndërmjetësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Bardhyl Mahmuti gjithashtu ka folur për projektmarrëveshjen që duhej ta nënshkruanin të dyja delegacionet më 20 shkurt 1999 dhe ‘kërcënimin’ që morën delegacionet nga kështjella e Rambujesë në rast se dështon kjo marrëveshje.

“Epoka e re”: Gjatë konferencës për shtyp, z. Demaçi shprehu dyshimet e veta rreth mundësisë së ndërhyrjes ushtarake të NATO-s. Pas përfundimit të luftës, dyshimi i lartpërmendur është shfrytëzua nga kundërshtarët e Demaçit për të treguar se gjoja “ai nuk ka pasur të drejtë rreth parashikimit të rrjedhave të ngjarjeve”, sepse NATO megjithatë ndërhyri.
Bardhyl Mahmuti: Një pjesë e konsiderueshme e njerëzve lexojnë vetëm tituj gazetash dhe, mbi bazën e tyre, pretendojnë se dinë çka ka ndodhur realisht. Nëse lexojmë me vëmendje qëndrimet e Adem Demaçit, do të shohim se qëndrimi i tij ka qenë i saktë!

No description available.

Në konferencën e lartpërmendur për gazetarë, ai thotë: “Mendoj se deri sa në Kosovë të jetë Misioni Verifikues i OSBE-së, praktikisht nuk është i mundur intervenimi, Çfarë do të bëhet në të ardhmen unë nuk e di, por tash për tash përveç kërcënimeve, nuk shoh diçka tjetër nga NATO-ja”. Hipoteza e Adem Demaçit se nuk do të kishte ndërhyrje ushtarake të NATO-s përderisa ¨në Kosovë të kishte pjesëtarë të Misionit Verifikues të OSBE-së”, mbështetej në mënyrën e funksionimit të serbëve gjatë luftës në Bosnjë.

“Epoka e re”: A mundeni të sqaroni lexuesit tanë për ato zhvillime në Bosnjë që përforconin bindjen se, në kontekst të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, nuk mund të kishte bombardime të NATO-s?
Bardhyl Mahmuti: Në nëntor të vitit 1994, kur NATO-ja filloi bombardimet kundër pozicioneve të forcave serbe në Bosnje për t’u imponuar respektimin e zonave të shpallura nga Kombet e Bashkuara si “Zona të sigurisë”, serbët zunë peng 500 ushtarë që ishin me mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në disa vendbanime të Bosnjës.
I njëjti skenar u përsërit edhe në maj të vitit 1995, kur 21 kaska blu franceze dhe 13 vëzhgues të OKB-së u zunë peng, ndërsa 150 të tjerë i ngujuan në 9 vendgrumbullime të armëve. Ata u lidhën me pranga dhe u vendosën në vende strategjike që mund të ishin caqe të sulmeve të NATO-s. Përmes kësaj forme (mburojës njerëzore) serbët dëshmuan se nuk zgjidhnin mjetet për të realizuar qëllimet e tyre.
Pikërisht për të shmangur një mundësi të tillë, më 19 mars 1999 personeli i ambasadave të shteteve anëtare të NATO-s u largua nga Beogradi, ndërsa, më 20 mars, u tërhoqën nga Kosova edhe 1400 pjesëtarët e fundit të Misionit Verifikues të OSBE-së. Katër ditë më vonë filluan bombardimet e caqeve serbe në Serbi dhe në Kosovë.
Me një fjalë, parashikimet e Adem Demaçit jo vetëm që dolën të sakta, por mund të shiheshin si vërejtje të mos përsëriteshin gabimet e Bosnjës.

“Epoka e re”: Në dhjetë pikat e Deklaratës së Grupit të Kontaktit, që nuk mund të negocioheshin, mungonte mundësia e pavarësisë së Kosovës si zgjidhje pas përfundimit të periudhës kalimtare trevjeçare. A ka ndikuar një gjë e tillë në përforcimin e dyshimeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në këtë konferencë?
Bardhyl Mahmuti: Edhe rreth kësaj çështjeje dyshimet e Adem Demaçit dolën plotësisht të sakta. Gjatë dy javëve të para në Rambuje, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë punuan tërësisht të ndarë njëri nga tjetri dhe komunikimi zhvillohej nëpërmjet ndërmjetësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Christopher Hill (Kristofer Hill), Wolfgang Petritsch-it (Volfgang Petriq) dhe Boris Majorski-t.
Më 19 shkurt 1999, një ditë para përfundimit të afatit për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, delegacionit të Kosovës dhe atij serbo-jugosllavë iu dha projektmarrëveshja që duhej ta nënshkruanin të nesërmen, më 20 shkurt.
Drafti final i dorëzuar më 19 shkurt kishte ndryshime thelbësore në krahasim me “Projektmarrëveshjen kalimtare për paqe dhe për vetëqeverisje në Kosovë” të datës 6 shkurt.
Fillimisht po tërheq vëmendjen e lexuesit te fakti se delegacioni serb ishte kategorikisht kundër nënshkrimit të marrëveshjes, sepse nuk pajtoheshin me modalitetin e autonomisë së Kosovës dhe praninë ushtarake ndërkombëtare për të mbikëqyrur implementimin e kësaj marrëveshjeje. Serbët kërkuan kohë që të konsultoheshin me Beogradin për një gjë të tillë. Mirëpo, në vend të autonomisë substanciale, si status kalimtar deri në zgjidhjen përfundimtare që parashihej të përcaktohej pas tre vjetësh, drafti i ri e parashihte këtë formë si zgjidhje përfundimtare. Një ndryshim i tillë ishte i papranueshëm për delegacionin shqiptar të Kosovës. Lexuesit, që i intereson të njihet me dinamikën që ngjalli ky draft në kuadër të delegacionit shqiptar, i sugjeroj veprat e autorëve Rexhep Qosja, Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Blerim Shala dhe Edita Tahiri, të cilët ishin dëshmitarë të atyre ngjarjeve si pjesë e delegacionit të Kosovës.
Bllokimi i bisedimeve solli para një situate të vështirë diplomacinë e shteteve të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Në këtë kontekst, Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, më 20 shkurt 1999, nga kështjella e Rambujesë, ju drejtua palëve në bisedime me një gjuhë të qartë kërcënuese: “Merrini gjërat seriozisht! Kësaj radhe nuk mund të lejojmë që dikush të shtiret! Nëse serbët thonë ‘JO!’ dhe bisedimet dështojnë për shkak të tyre, atëherë do të kemi bombardime! Nëse shqiptarët nuk thonë “PO!” dhe bisedimet dështojnë për shkak të tyre, ne nuk do t’i mbrojmë dhe rrjedhimisht nuk do të ketë bombardime kundër Serbisë!”

“Epoka e re”: Ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet në Rambuje dhe delegacioni i Kosovës ballafaqohej me presione të ndryshme, që janë të kuptueshme në kontekst të bisedimeve të kësaj natyre, në Kosovë ndodhën ndryshime në kuadër të UÇK-së. Komandantët e Zonave Operative emëruan Komandant të Përgjithshëm të UÇK-së z. Sylejman Selimi. Si i keni parë këto zhvillime në atë kohë?
Bardhyl Mahmuti: Është fakt i pakontestueshëm se kjo çështje zuri një vend tejet të rëndësishëm në qarqet politike ndërkombëtare, të përfshira në gjetjen e një zgjidhjeje politike për Kosovën. Për të gjithë u bë e qartë se delegacioni i Kosovës nuk mund të vendoste nënshkrim mbi diçka që mbyllte rrugën e pavarësisë së Kosovës. Për këtë arsye u organizuan takime të shumta të diplomatëve perëndimorë me Adem Demaçin dhe me personalitete të politikës, shkencës dhe artit të Republikës së Shqipërisë (Rexhep Mejdani, Pandeli Majko Paskal Milo, Sabri Godo, Ismail Kadare), me qëllim që të ndikohej për nënshkrimin e projektmarrëveshjes.
Hashim Thaçi, si udhëheqës i delegacionit të Kosovës, dhe përfaqësuesit e tjerë të UÇK-së, që ishin në kuadër të këtij delegacioni, treguan urtësinë e duhur. Jo vetëm që nuk kundërshtuan krijimin e një strukture komanduese në rrafshin operativ të UÇK-së, por, përkundrazi, ia uruan Sylejman Selimit detyrën e re!

“Epoka e re”: Çfarë mund të ndodhte nëse kundërshtohej vendimi i komandantëve të zonave operative?
Bardhyl Mahmuti: Gjatë gjithë kohës së luftës, ndikimi i Drejtorisë Politike te komandantët e zonave operative ka qenë tejet i vogël dhe vende-vende pa asnjë ndikim. Çfarëdo forme e kundërshtimit të vendimit të komandantëve të zonave mund të nxiste reagime të paparashikueshme dhe, në këtë mënyrë, të krijoheshin telashe të mëdha rreth legjitimitetit të përfaqësimit të UÇK-së! Pa marrë parasysh realitetin e raporteve Drejtori Politike/komandantë të Zonave Operative, nuk ishte në interes të Kosovës që të shpërfaqeshin divergjenca në këtë moment vendimtar për ardhmërinë e vendit!

“Epoka e re”: A ka mundur z. Azem Syla ta perceptojë emërimin e z. Sylejman Selimi në detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së si goditje kundër tij?
Bardhyl Mahmuti: Jo! Nuk besoj! Vendimi i lartpërmendur i komandantëve të zonave ishte përpjekje për të krijuar Shtabin e Përgjithshëm si organ komandues të forcave ushtarake, në krye të së cilës u caktua Sylejman Selimi, ndërsa funksioni i Azem Sylës ka qenë përfaqësimi i Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e jo i strukturës që komandonte në terren! Në vendimin e komandantëve të zonave operative për të caktuar Sylejman Selimin si Komandant të Shtabit të Përgjithshëm as që përmendet zëvendësimi i Azem Sylës, sepse kishim të bënim me aspektin komandues të forcave të armatosura.
Siç e dini, pas ndërprerjes dyjavore të konferencës dhe kthimit të delegacionit në Kosovë, delegacioni përfaqësues i UÇK-së mbeti i njëjtë edhe për raundin e dytë të bisedimeve: Sylejman Selimi nuk e zëvendësoi Azem Sylën në delegacionin që përfaqësonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Një gjë e tillë nuk ndodhi as kur Sylejman Selimi u zëvendësua nga gjeneral Agim Çeku! Madje, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, që doli si rezultat i marrëveshjes së forcave politike pjesëmarrëse në Rambuje, Azem Syla ishte ministër i Mbrojtjes e jo pjesë e strukturave komandues të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës.

“Epoka e re”: Kur flitet për ato momente plot tensione dhe presion të gjithanshëm ndaj delegacionit të Kosovës që të nënshkruante projektmarrëveshjen, kohëve të fundit është bërë e ditur nga vetë z. Sylejman Selimi dhe komandanti i Zonës Operative të Llapit, z. Rrustem Mustafa se i ishin kërcënuar delegacionit të Kosovës në Rambuje se do të ballafaqohej me pasoja të rënda kushdo që do të nënshkruante një draft të tillë. Deri në çfarë mase kanë ndikuar këto kërcënime që të refuzohej nënshkrimi i menjëhershëm i marrëveshjes?
Bardhyl Mahmuti: Kërcënimet që janë bërë publike nga vetë protagonistët e atyre ngjarjeve nxjerrin në pah mungesën e një strukture unike, që manifestohej vazhdimisht edhe nëpërmjet publikimit të komunikatave në emër të Zonave Operative, deklaratave të zëdhënësve të këtyre zonave, intervistave të komandantëve të tyre e kështu me radhë. Kërcënimet e këtij niveli ishin serioze dhe askush nuk mund t’u qasej me mos përfillje! Mirëpo, edhe pa kërcënimet e lartpërmendura unë nuk besoj se ndonjëri nga përfaqësuesit politikë të UÇK-së do të kishte nënshkruar variantin e projekt-marrëveshjes që u shtrua në tavolinë më 19 shkurt.
Sidoqoftë, ky kontekst shtroi si domosdoshmëri nevojën për të sqaruar shumë gjëra që lidheshin me projekt-marrëveshjen. Në funksion të kësaj strategjie, udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi udhëtoi në Lubjanë të Sllovenisë për t’u takuar me Adem Demaçin, Më në fund, takimet intensive të Hashim Thaçit me diplomatët amerikanë siguruan premtimin gojor se çështja e autonomisë substanciale do të mbetej si zgjidhje e përkohshme gjatë fazës kalimtare trevjeçare dhe pas përfundimit të kësaj faze, do të respektohej vullneti politik i popullit të Kosovës. Ishte e qartë se në këtë periudhë diplomacia ndërkombëtare dëshironte t’i jepte fund gjenocidit në Kosovë. Këmbëngulja e pranisë ushtarake në Kosovës nënkuptonte heqjen e ushtrimit praktik të sovranitetit të Serbisë në Kosovë, ndërkaq heqja juridike e Kosovës nga Serbia mbetej të diskutohej pas fazës kalimtare.
Pikërisht për këto arsye, nëpërmjet letrës së 23 shkurt 1999, delegacioni i Kosovës njoftoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se parimisht pranonte marrëveshjen e përkohshme për paqe.
Në situatë të tillë, ku delegacioni serbo-jugosllavë refuzonte kategorikisht nënshkrimin e marrëveshjes, ndërkaq delegacioni i Kosovës kishte dhënë pohimin se do ta nënshkruante marrëveshjen, organizatorët e konferencës vendosën që t’i ndërpritnin punimet për një afat 2-3 javësh dhe të rifillonin takimin në Paris, më 15 mars 1999. Një vendim i tillë i përshtatej edhe delegacionit tonë, sepse afati shtesë do të shërbente për të sqaruar komandantët e zonave operative rreth zhvillimeve në Rambuje.

“Epoka e re”: A mjaftoi premtimi gojor i diplomatëve amerikanë për t’i besuar se çështja e pavarësisë së Kosovës mbetej si opsion për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës?
Bardhyl Mahmuti: Fjala e diplomatëve amerikanë ka një shkallë të lartë besueshmërie. Ata që nuk besuan në fjalët e tyre, qoftë edhe kur kërcënoheshin, i bartën pasojat mbi kurrizin e vet, siç ishte rasti i Serbisë. Ndërkaq vërtetësia e premtimit se autonomia substanciale ishte e vlefshme gjatë fazës kalimtare, u dëshmua gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës: Kosova u shpall shtet i pavarur dhe kjo pavarësi u njoh menjëherë nga SHBA-ja!

“Epoka e re”: Meqenëse jemi te premtimet gojore, a u hoqën presionet dhe kërcënimet ndaj nesh pas deklaratave të delegacionit të Kosovës se do ta nënshkruanin marrëveshjen?
Bardhyl Mahmuti: Po! Refuzimit kategorik të projektmarrëveshjes nga ana e delegacionit serbo-jugosllavë, premtimi nga ana e delegacionit të Kosovës se do të nënshkruante marrëveshjen ishte i mjaftueshëm.

“Epoka e re”: Pas ndërprerjes së bisedimeve në Rambuje, më 24 shkurt 1999, delegacioni i Kosovës udhëtoi për në Prishtinë, përveç udhëheqësit të delegacionit, z. Hashim Thaçi dhe z. Xhavit Haliti, të cilët udhëtuan për në Tiranë. A keni njohuri rreth asaj si u zhvilluan konsultat e përfaqësuesve të UÇK-së me Shtabin e Përgjithshëm, sepse ka thashetheme të ndryshme?
Bardhyl Mahmuti: UÇK-ja vazhdimisht është ballafaquar me një luftë të ashpër speciale të shpërndarjes së gënjeshtrave nga ana e Shërbimit Sekret të Serbisë dhe shërbëtorëve të tij me qëllim të ngjalljes së mosbesimit ndaj saj te diplomatët e shteteve demokratike. Në funksion të këtij qëllimi, janë sajuar me qindra “kumtesa”, “raporte”, “procesverbale” dhe janë shpërndarë si “dokumente” të UÇK-së, si “deklarata të përfaqësuesve të saj politikë” etj. Një numër të konsiderueshëm të këtyre sajesave i kam pasur të sistemuara në kompjuterin tim me qëllim që t’i përfshij në projektin që kisha për shkrimin e librit “Mashtrimi i madh”, por, nëse nuk gaboj, në vitin 2001, në të njëjtën kohë kur pati sulm kibernetikë Kosovapress, sulmuan edhe kompjuterin tim dhe më shkatërruan një numër të madh të shënimeve që kisha rreth takimeve diplomatike, njoftimeve që kisha bërë si Shef i Grupit Diplomatik të UÇK-së, sajesave të lartpërmendura, projektit të doktoratës etj.
Sa i përket manipulimeve të kësaj natyre që u bënë lidhur me konsultat e përfaqësuesve të UÇK-së me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, pas kthimit nga Konferenca e Rambujesë, po përmend shpërndarjen e një “procesverbal” të falsifikuar lidhur me këtë takim!

“Epoka e re”: Çfarë përmbante procesverbali i falsifikuar dhe si mund të bindemi se është i sajuar?
Bardhyl Mahmuti: Përpara se të ndalemi dhe ta zbërthejmë “procesverbalin” në fjalë, po e publikojmë tekstin e plotë (dy faqe) që lexuesi të ketë mundësi të shohë saktësinë e çmontimit të kësaj sajese.

No description available.

No description available.

Sipas këtij “procesverbali” të publikuar nga një agjenci e shpifur (“Kaçakpress”), që pretendon se e “ka marrë nga burimi i saj i sigurt”, takimi ka ndodhur më 6 mars 1999, në Drenicë!
Nëse shikoni me vëmendje, do të vëreni se në krye të faqes së parë, data shkruhet në anglisht “Date: 07 March 1999” dhe pretendohet se është transmetuar 8 minuta pas mesnatës (00:08), ndërkaq, në krye të faqes së dytë del se është lëshuar në muajin maj të vitit 1995, në orën 22:03!!! Domethënë faqja e dytë është dërguar me faks rreth katër vjet përpara se të dërgohet faqja e parë e “Mbledhjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”! Imagjinoni, katër vjet përpara se të ndodhin ngjarjet, sajuesit e këtij “procesverbali” e paskëshin ditur se kur do të mbahet Konferenca e Rambujesë, se kush do ta përfaqësojë UÇK-në, se si do të emërohet Sylejman Selimi Komandant i Përgjithshëm, se kush do të merrte pjesë në atë mbledhje!!! “Parashikime” të jashtëzakonshme të këtij “burimi të sigurt”!

No description available.

Në bazë të “procesverbalit” të “Kaçakpress”, Hashim Thaçi dhe Xhavit Haliti u paskëshin dërguar “telegrame” pjesëmarrësve të kësaj mbledhjeje, sepse Hashim Thaçi (që gjoja nënshkruhet si “Kryeministër i Përkohshëm Gjarpni”) paskësh qenë “duke përgatite valigjet për me shku në Washington”!!!
Në atë kohë udhëheqësi i delegacionit të Kosovës ishte në Kosovë dhe zhvillonte bisedime për të harmonizuar qëndrimet rreth projektmarrëveshjes që do t’i jepte fund luftës. Më 13 mars, Hashim Thaçi, së bashku me anëtarët e tjerë të delegacionit, udhëtoi me aeroplan ushtarak nga Aeroporti i Prishtinës për në Paris, ndërkaq “valixhet e gatshme për Washinton” ua la “gazetarëve të Kaçakpress”-it!

“Epoka e re”: Në veprën autoriale “Kosova në krizën jugosllave” z. Ramë Buja saktëson se takimi i përfaqësuesve politikë të UÇK-së me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm kishte ndodhur dy ditë pas kthimit nga Rambuje, më 26 shkurt 1999. A u besoi kush broçkullave të këtij “procesverbali” të falsifikuar?
Bardhyl Mahmuti: Nëse mbështetemi në shkrimet dhe intervistat e pjesëmarrësve të asaj mbledhjeje del se në këtë takim nuk është thënë asnjë nga fjalët e sajuara nga “Kaçakpress”. Për mbledhjen e 26 shkurti, të mbajtur në Divjakë të Bjeshkëve të Berishës, u njoftuan edhe diplomatët amerikan dhe të BE-së që ishin të përfshirë në negociata dhe nuk besoj të ketë pasur ndonjë ndikim tek ata! Fatkeqësisht ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite të tillë që u besojnë broçkullave të tilla. Përkundër asaj se në mbledhjen e lartpërmendur u vendos të mbështetej delegacioni i Kosovës, ndërkaq Hashim Thaçi u emërua mandatar për formimin e Qeverisë së Përkohshme, fatkeqësisht ka pasur dhe ka edhe sot e kësaj dite të tillë që u besojnë thashethemet dhe sajesat e kësaj natyre, që kishin për efekte përçarjen brenda shqiptarëve.

“Epoka e re”: Mendoni se ka edhe sot të tillë që vazhdojnë t’u besojnë sajesave të tilla?!
Bardhyl Mahmuti: Fatkeqësisht një numër i konsiderueshëm i veprimtarëve që interpretojnë zhvillimet e atëhershme brenda LPK-së dhe UÇK-së si rezultat “komplotesh”, të cilët nuk meritojnë t’ua përmend as emrin, vazhdojnë t’i shpërndajnë sajesat e tilla! Madje libri i fundit që merr për të vërtetë sajesën e shpërndarë në emër të agjencisë së shpifur “Kaçakpress” dhe e prezanton si “Faksimil i Mbledhjes së datës 07 mars 1999, i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së”, është botuar në vitin 2021!

“Epoka e re”: A mund të zbulohet se kush e ka përpiluar “procesverbalin” e lartpërmendur dhe kush qëndronte prapa agjencisë “Kaçakpress”?
Bardhyl Mahmuti: Gabimet e shumta sintaksore dhe drejtshkrimore lënë të dyshohet se prapa sajesës së tillë mund të qëndrojë dikush nga Beogradi. Gabimet gjuhësore mund të bëhen edhe qëllimisht për të rritur shkallën e besueshmërisë në vërtetësinë e përmbajtjes, duke pasur parasysh dobësive që na karakterizojnë në drejtshkrim! Mirëpo, shkrimi i tekstit të “procesverbalit” në një faqe të faksuar në maj të vitit 1995, nuk mund të jetë gabim i ndonjë agjenti të Sigurimit Shtetëror të Serbisë në Beograd, sepse ata janë përpjekur të mos bëjnë gabime që duken nga aeroplani! Mendoj se një gabim të tillë kanë mundur ta bëjnë agjentët e llojit të Nazim Bllacës apo të agjentëve të tjerë që sajuan agjencinë “Kaçakpress”!

“Epoka e re”: T’i kthehemi kontekstit të bisedimeve të raundit të parë në Konferencën e Rambujesë dhe të sqarojmë një çështje që është përfolur shumë. Meqenëse delegacioni serbo-jugosllavë refuzonte nënshkrimin e marrëveshjes, çfarë do të ndodhte nëse delegacioni i Kosovës do ta nënshkruante menjëherë? A mund të supozohet se ndërhyrja ushtarake do të kishte ndodhur përpara datës 24 mars dhe rrjedhimisht lufta do të kishte përfunduar më herët?
Bardhyl Mahmuti: Një hipotezë e tillë kishte gjasa të vogla të realizohej. Mendimin tim e mbështes në mënyrën e veprimit të akterëve ndërkombëtarë të përfshirë në gjetjen e zgjidhjes për çështjen e Kosovës. Po marr dy shembuj që lidhen me rastin tonë:
Më 15 mars 1999, shefi i delegacionit të Kosovës, Hashim Thaçi, i njoftoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë se “pas konsultimeve dhe pas marrjes së mendimeve nga pjesa dërrmuese e popullit delegacioni i Kosovës e pranon marrëveshjen. Ne mendojmë se kështu i kontribuojmë paqes në rajon.” Në të njëjtën ditë, delegacioni i Kosovës nënshkroi marrëveshjen dhe mbajti një konferencë për shtyp, ku u njoftua opinioni publik ndërkombëtar për vendimet që ishin marrë. Edhe pse delegacioni serb refuzoi edhe aspektin politik, edhe atë të pranisë ushtarake për të mbikëqyrur implementimin e marrëveshjes eventuale, diplomacia e shteteve të Grupit të Kontaktit vazhdoi përpjekjet për ta bindur Serbinë. Që nga 15 marsi e deri më 22 mars nuk u ndërprenë përpjekjet për të përmbyllur këtë konferencë me sukses të përgjithshëm. Më 22 mars dështoi përpjekja e fundit e ambasadorit Holbrooke për të bindur Sllobodan Millosheviqin që të pranonte marrëveshjen e nënshkruar nga delegacioni shqiptar. Të nesërmen, më 23 mars 1999, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, deklaroi se i kishte dhënë urdhër gjeneralit Wesley Clark-ut, të fillonte operacionet ajrore kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.
Të njëjtën gjë e pamë edhe në procesin e negociatave në Vjenë për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
Nga data 20 shkurt e vitit 2006 e deri më datë 8 shtator të të njëjtit vit, delegacioni i Kosovës dhe i Serbisë zhvilluan 11 raunde bisedimesh. Më 2 shkurt 2007 i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martti Ahtisaari, ua dorëzoi të dy delegacioneve pakon e propozimeve lidhur me statusin final të Kosovës dhe ftoi palët të angazhoheshin në një proces konsultimesh. Përfaqësuesit e Kosovës u deklaruan pozitivisht për pakon e propozimeve, ndërsa përfaqësuesit e Serbisë u shprehën kategorikisht kundër.
Përkundër konkluzionit të Martti Ahtisaari-t se “vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak”, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kërkoi nga Grupi i Kontaktit që të bënte edhe një përpjekje për t’i përafruar pikëpamjet diametralisht të kundërta të palëve.
Negociatat e reja, të parapara të zhvilloheshin gjatë 120 ditësh dhe të përfundonin më së voni deri më 10 dhjetor 2007, duhej të zhvilloheshin nën drejtimin e një “Tresheje” të përbërë nga përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe BE-së.
Treshja e ngarkuar nga Grupi i Kontaktit, që përbëhej nga ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger, Alexander Bostan–Harchenko dhe Frank Wiesner, zhvilloi këto negociata nga 9 gushti deri më 3 dhjetor 2007. Rrjedhat e mëtutjeshme dihen: Serbia nuk pranoi as rekomandimet që dolën nga përpjekjet e kësaj “Tresheje”, Kosova mbajti zgjedhje të reja dhe me 17 shkurt shpalli pavarësinë, që e njohën mbi 100 shtetet të botës.
Prandaj mendoj se do t’i jepej edhe një afat Serbisë për të ndryshuar qëndrimin edhe në rast se delegacioni i Kosovës vinte nënshkrimin gjatë raundit të parë!

“Epoka e re”: Shpesh dëgjohet se falë Serbisë që refuzoi marrëveshjen e paqes të propozuar në Konferencën e Rambujesë, ne shpëtuam, se përndryshe marrëveshja do të na kishte lënë në kuadër të integritetit territorial të Jugosllavisë, me një “autonomi substanciale”! Cili është mendimi juaj?
Bardhyl Mahmuti: Spekulimet e kësaj natyre janë tërësisht të paqëndrueshme. Delegacioni serbo-jugosllavë nuk ka mundur të nënshkruaj një marrëveshje për çfarëdo forme të autonomisë së Kosovës, realizimin e të cilës duhej ta garantonin forcat ushtarake ndërkombëtare, për arsye se Serbia si shtet kishte përpiluar planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Kjo që them nuk është hipotezë e imja, por pohim i Ratomir Tanić-it (Ratomir Taniq), i cili ka qenë anëtarë i delegacionit të Serbisë që zhvilloi bisedime me delegacionin e Kosovës nga viti 1994 e deri në vitin 1997 me qëllim të shmangies së luftës dhe të gjetjes së një zgjidhjeje politike për Kosovën. Mirëpo, sipas Taniqit, Millosheviqi shkatërroi rezultatet e punës që kishin bërë gjatë bisedimeve, sepse i duhej lufta për të luajtur rolin e shpëtimtarit të Serbisë!…Ta izolosh terrorizmin është një çështje krejt tjetër nga vrasja e grave dhe e fëmijëve, siç është krejtësisht tjetër të shpërngulësh një popull të tërë. Forcat tona të sigurisë nuk bënë aspak luftë kundër terroristëve. Ata luftën e bënë kundër popullatës civile. Kështu filloi konflikti etnik në mars të vitit 1998. Në vend të arrestimit të vëllezërve Jashari dhe të tjerëve, forcat tona sulmuan shtëpitë ku jetonin ata dhe masakruan gratë, fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në vend që të kufizoheshin aksionet në caqet e caktuara, u sulmuan edhe fqinjët e tyre… Sigurisht që kjo provokoi revoltën e popullit shqiptar, siç do të provokonte revoltën e cilitdo popull në botë. Millosheviqi e dinte se kjo do të provokonte kryengritjen e popullit shqiptar dhe e bëri vetëm e vetëm që të kishte mundësi të arsyetohej se kishim të bënim me një revoltë! Millosheviqi dhe Shahinoviqi vepronin në atë mënyrë që “lufta kundër terrorizmit” të kthehej në luftë kundër fshatrave dhe civilëve shqiptarë.” Prandaj hipotezat e natyrës “nëse delegacioni i Kosovës do të nënshkruante…” shtrohen nga njerëz që kërkojnë qime në vezë! Delegacioni i Kosovës në Rambuje ka luajtur një rol tepër konstruktiv për përfundimin e luftës në Kosovë dhe dhënien fund të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve!

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka vizituar Qendrën Korrektuese…