Presioni i qytetarëve e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se presioni i qytetarëve e detyroi ministrin Hekuran Murati të përkulet para luftës së UÇK-së.
“Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj.
Postimi i plotë i Molliqajt:
Murati i ri është ai i vjetri
Me çka matet një pendesë nëse jo me veprime politike? Me çka matet vërtetësia e fjalës së thënë përpos me materializim të saj? Cila është konsekuenca politike e një pozicioni rrënues ndaj bindjeve tona si shoqëri, për liri e çlirim? Çfarë mbetet nga kërkimfalja, kur asaj i kalkulohet motivi? Cili na qenka morali i saj?
Që ministri Murati ka ndërruar, zor t’i zihet besë. Ajo logjikë nxjerr krye tek vonesa në reagim. E përllogaritur sikur tek statusi për koston financiare të lirisë. Pendesa duket ndryshe dhe pasohet nga veprime konkrete. Test provues më i afërt në kohë do të jetë ligji për pagën minimale.
Në ndërkohë, Partia Socialdemokrate do të vazhdojë me aktivitete në shërbim të dekonstruktimit të kësaj Qeverie anti-UÇK dhe do t’i kundërshtojë pa kompromis të gjitha elementet e saj.
Është presioni i qytetarëve që e detyroi Muratin të përkulet para luftës së UÇK-së. Ai u tërheq. Kjo fitore është e qytetarëve, por është e pamjaftueshme meqë është formale, sa për opinion publik. Është farsë.
Mirëpo, për një fitore edhe më të madhe se kjo, ku e vërteta për çlirimin do të ishte e pacenushme, një herë e mirë, duhet një organizim edhe më i fuqishëm. Potenciali është i madh. Organizimi është zgjidhja.
Në këtë rrethanë, ne duhet që protestën ta shtyjmë për një moment të dytë. Ditëve në vijim do të njoftoheni për aktivitetet e radhës.