Presioni nga Beogradi nuk i lejon klubet serbe të luajnë në Kosovë
Federata e Futbollit e Kosovës ka arritur t’i integrojë të gjitha klubet e futbollit të komuniteteve pakicë në garat që organizohen nën ombrellën e saj, përveç klubeve të komunitetit serb, konfirmojnë zyrtarët e kësaj federate. Me gjithë përpjekjet dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjitha klubet, përfshirë edhe ato të komunitetit serb që jeton në Kosovë, siç thonë zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, edhe ato pak klube që dikur ishin pjesë e garave vendore, janë tërhequr për shkak të kushtëzimeve dhe shantazheve nga politika.
Eroll Salihu, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht asnjë klub i futbollit nga komuniteti serb nuk merr pjesë në gara në ligat e Kosovës. Më herët, sipas tij, kjo federatë kishte arritur të përfshijë në gara dy klube nga ky komunitet, por që më pas politika e Beogradit kishte arritur të ndikojë në ato klube që të largohen nga këto gara. “Janë tërhequr para 6 apo 7 vjetëve, me presionin e madh që u është bërë nga politika serbe. Po e potencoj edhe një rast që, së bashku me presidentin e ndjerë (Fadil) Vokrri, patëm pranuar një ekip të femrave të Graçanicës. Kanë pasur fushën dhe u kemi ndihmuar me pajisje sportive, me topa, me të gjitha. Por, një javë para se të fillojnë, atyre u shkoi një vendim që nëse luajnë në këtë ligë do të largohen nga puna nga Komuna e Graçanicës. Kështu që edhe ai projekt ka dështuar. Pra, ekziston vullneti i komunitetit serb që të bëjë gara, por, thjesht, politika serbe nuk i lejon”, ka thënë Salihu.
Arbnor Morina, trajner futbolli i licencuar nga UEFA, thotë se mospjesëmarrja e klubeve të futbollit të komunitetit serb në garat e organizuara në ligat e Kosovës është kryekëput për shkaqe politike. Sipas tij, vullneti i sportistëve të këtij komuniteti ekziston për t’u përfshirë në garat vendore, por konkretizimi i këtij vullneti, siç thotë ai, është bërë i pamundur për klubet e komunitetit serb për shkak të frikës nga hakmarrja nga politika. “Ka pasur mjaft investime që komuniteti i serbëve të kyçet në rrjedhat e sportit të Kosovës, mirëpo ne të gjithë e dimë se janë tërhequr për shkak të presioneve politike. Sidomos, presioni është rritur në momentin kur në skenën politike, në pjesën jugore (të Kosovës) – pra, po e potencoj, në pjesën jugore – ka hyrë Lista Serbe. Duhet të them se këto presione janë shumë më të fuqishme sesa vetë dëshira e këtyre sportistëve që të marrin pjesë në gara”, theksoi Morina.
Se vullneti i klubeve të caktuara të komunitetit serb ekziston për të marrë pjesë në garat e Federatës së Futbollit të Kosovës e pohon edhe Salihu. Sipas tij, kontaktet me sportistët e atyre klubeve nuk janë ndërprerë. “Gjithmonë jemi në kontakt. Provojmë. Vullneti ekziston. Madje, prej veriut të Kosovës janë lajmëruar edhe për futsall, mirëpo menjëherë, pa para se të fillojnë garat, janë kërcënuar, madje edhe me jetë, siç kemi dëgjuar”, tha Salihu.
Morina, i cili dikur ka qenë futbollist i disa klubeve të Kosovës, thotë se kontaktet me ish-kolegët serbë të Kosovës nuk janë shuar dhe se ka mjaft prej tyre që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me autoritetet e futbollit të Kosovës. “Por, në anën tjetër është edhe frika prej hakmarrjes, në mënyra të ndryshme dhe se si do të rrjedhin gjërat nëse ata kyçen në sistemin tonë. Duhet të themi se edhe nënkryetari i Federatës është nga komuniteti serb. Individualisht ka disa futbollistë që janë nëpër klube, janë në kategori të reja. Por, krejt kjo është e mbërthyer me një frikë nga ajo se si do të reagojnë ata, të cilët janë të infiltruar përmes politikës dhe se si do t’u hakmerren. Për këtë arsye ekziston kjo barrierë për t’u kyçur ata më shpejt te ne”, u shpreh Morina.
Në anën tjetër, klubet e futbollit të komunitetit serb bëjnë gara në organizime të natyrës paralele në Kosovë, si dhe në ligat e Serbisë, të organizuara nga Federata e Futbollit të këtij shteti. Në muajin tetor autoritetet e Kosovës, me kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, kishin ndaluar, si të paligjshëm, zhvillimin e një takimi në Zveçan, ndërmjet klubit ‘Trepça’, nga veriu i Kosovës, me klubin Cërvena Zvezda (Ylli i Kuq) nga Beogradi. Ky takim ishte paraparë të zhvillohej nën organizimin e Federatës së Futbollit të Serbisë, e vlefshme për Kupën e Serbisë.