Pretendimet për afera korruptive në institucione, Prokuroria nis hetimet
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me shkrimet e fundit të publikuara në media ku flitet për afera të ndryshme korruptive në institucione të ndryshme.
Kështu është bërë me dije në një njoftim për medie të lëshuar nga Prokuroria Speciale.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion”, thuhet në njoftim.
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dje në një konferencë për media kanë denoncuar siç pretendojnë ata keqpërdorimin e 1.1 milion eurove, nga ministrat Donika Gërvalla dhe Fikrim Damka.
“Fjala është për një ‘Memorandum bashkëpunimi’, në mes të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it zviceran, në bazë të të cilës, buxheti i Republikës së Kosovës shpenzohet kundërligjshëm në shumë prej 1 milion e 40 mijë euro. Kjo marrëveshje, është nënshkruar dhe tashmë është duke u realizuar por një gjë e tillë ka ndodhur vetëm pas Pëlqimit zyrtar të cilin e ka nënshkruar Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e cila i ka hapur rrugë nënshkrimit të kundërligjshëm të saj, duke inkurajuar dhe lejuar kështu keqpërdorimin e rreth 1 milion e 40 mijë eurove”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.
Pas kësaj ka reaguar ministrja Donika Gërvalla e cila ka hedhur poshtë pretendimet e PDK-së.
“Jo 1.1 milion euro, por as edhe 1.1 cent”, ka shkruar ajo. Edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), e cila udhëhiqet nga Fikrim Damka, ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me keqpërdorimin e 1.1 milion eurove.
“Sqarim për opinionin publik, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin Zviceran Organizatë Ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe”, thuhej në komunikatën për medie.
Po ashtu dje gazeta Nacionale që drejtohet nga Berat Buzhala ka raportuar për aferën korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës, ku edhe për këtë thuhet se kanë nisur hetimet.