Pretendimi distopik e despotik i Vuçiqit për Serbinë e madhe

11 nëntor 2022 | 16:49

Hasan Mujaj

Zyrtarët e lartë të Brukselit, si të papërkorë që janë dëshmuar edhe deri më tash, sërish anojnë nga Beogradi për t’ia plotësuar kërkesat një organizate kriminale siç e quajnë vetë disa serbë korrektë partinë e Rakiqit e të Radoiçiqit, Listën serbe, e cila ndjek dhe zbaton me përpikëri politikën e Vuçiqit!

U bënë disa vjet që Serbia po bën lojë mashtrimi me BE-në rreth dialogut me Kosovën. Kjo ndodh ngase, shprehur me stilin metaforik, problemi nuk është kapur nga rrënja, por është kapur nga pipthi. Dhe, përderisa të vazhdojë kjo ecuri e dialogut, është absurde dhe alogjike të mendohet se ai (dialogu) do të sjellë zgjidhje të pranueshme dhe stabilizim raportesh midis dy shteteve fqinje. Deklarimet e ndërmjetësuesve të BE-së për zhvillimin e dialogut Prishtinë – Beograd mjaftohen me konstatimin se “ka progres, por jo marrëveshje.” Progres e quajnë pajtueshmërinë e palëve për të vazhduar dialogun!

Dialogu nuk mund të ketë sukses sepse në të nuk ngrihet çështja e mënjanimit të shkakut të krizës politike në mes të dy vendeve, porse shtrohen si tema rrjedhojat e shkakut. Veprim apolitik. Imagjinar e shumë komik. Të gjitha mospajtimet kanë një kryefjalë: njohja e Kosovës shtet i pavarur nga Beogradi zyrtar. BE-ja duhet t’i thotë Serbisë prerazi se Kosovën e ka humbur me luftën e armatosur dhe nuk ka çka të kërkojë në Kosovë; vetë e ka nënshkruar humbjen e saj në qershorin e vitit 1999. Beogradi është autor i dhjetëra masakrave dhe i mijëra viktimave të popullatës civile shqiptare të Kosovës. Madje pavarësinë e Kosovës e ka quajtur të ligjshme edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë.

Edhe përfaqësuesi amerikan për Ballkanin Perëndimor G. Eskobar ia tha Vuçiqit në Beograd shumë qartë: “Harrojeni se Kosova është pjesë e Serbisë.” Por,   mendim të këtillë nuk kanë shprehur asnjëherë as Borreli, as Lajçaku! Ky realitet ka një implikaturë të pashprehur, porse të nënkuptueshme. Çështja e targave të automjeteve nuk duhet të jetë temë diskutimi e dialogut nga fakti se ajo është detyrë e brendshme e çdo shteti. BE-ja bën gabim të madh, shumë të madh që pranon si temë dialogu targat e makinave të komunave veriore të Kosovës me shumicë serbe. Qytetarët e të gritha përkatësive nacionale, që duan të jetojnë në Republikën e Kosovës, duhet t’i kenë automjetet e regjistruara me akronimin zyrtar të shtetit- RKS.

Lideri i iniciativës qytetare “Mbijetesa serbe” Aleksandër Arsenijeviq bën të ditur se Vuçiqi nuk takohet me qytetarët serbë të strukturave të tjera politike të komunave veriore të Kosovës, por vetëm me krerët e Listës serbe, e cila drejtohet nga Goran Rakiq, me pallat milionësh dhe nga Milan Radoiçiq, nënkryetar me fletarrest nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe në Listën e zezë amerikane për krime të ndryshme! Ai shtoi se “ serbët e komunave veriore të Kosovës kërkojnë normalizimin e situatës.”

Lista serbe – organizatë kriminale

Mirëpo, gjendja nuk mund të normalizohet përderisa politika e Brukselit përkitazi me dialogun Prishtinë – Beograd merret me përroska dhe nuk e ndal burimin kryesor të tyre që i furnizon me ujë – Vuçiqin.

Nënkryetari i Partisë Popullore serbe Miroslav Aleksiq e akuzon  Vuçiqin për favoret e ndryshme që ia krijon Listës serbe në Kosovë. Ai tha: “ Lista serbe është një organizatë kriminale që i mban njerëzit nën okupim. Vuçiqi e kontrollon Listën serbe.” Më se e vërtetë.

Pas një takimi me Listën serbe, Vuçiqi i drejtohet kombit me një fjalim në të cilin ndoqi stilin e Putinit për rusët në Ukrainë dhe tha: “ Nëse NATO nuk i mbron serbët, atëherë duhet t’i mbrojmë ne.” Demagogji fiktive. Sqimë. Kryetari serb i jep vetes të drejtë të thotë se policia e Kosovës nuk duhet të shkojë në komunat veriore ngase, sipas tij, është kërcënim për serbët. Ky qëndrim nënkupton pretendimin e Vuçiqit që gradualisht Beogradi të vërë kontrollin në këtë pjesë të territorit të Kosovës. Ai do pushtim satrap e despot. Ky është qëllimi i kërkimit me aq ngulm e nxitim për të formuar asociacionin e komunave serbe me kompetencat ekzekutive! Këtë e thotë edhe G. Rakiq madje me kërcënimin se “asociacionin do ta formojmë vetë.” Diplomati amerikan Eskobar theksoi se “asociacioni vetëm sipas Kushtetutës së Kosovës.”

Ish- ambasadori amerikan në Kosovë, G. Delawie, për fjalimin e presidentit serb të datës 21 gusht 2022, shkroi: “ Serbia është kërcënim real për paqen në Ballkan e jo Kosova.” Kjo është e vërteta, porse këtë nuk e thonë intermediatorët e Brukselit për dialogun. Të presësh prej tyre ta thonë realitetin, është vetëmashtrim. Madje, ndërhyrjen e policisë speciale të Kosovës për t’i kapur kriminelët serbë të komunave veriore Borreli e Lajçaku e quajnë të paarsyeshme. Ata shprehin qëllimin e njëjtë me Vuçiqin, por i dallon vetëm stili: ndërhyrjen e policisë për ta luftuar krimin kryetari serb e quan terror ndaj serbëve, kurse intermediatorët shprehen me eufemizëm politik dhe ndërhyrjen e policisë e quajnë “veprim të njëanshëm.”

Lajçaku propozoi edhe targat KS për automjetet serbe! Kjo është kërkesë e Beogradit. Politikë folklorike. Shumë naive të thuhet e jo më të përfillet. Kosova shtet i njohur nga rreth njëqind e pesëmbëdhjetë shtete tani, sipas Lajçakut, ta shfuqizojë vetë statusin e shtetit. Absurditet i paparë deri më sot në politikën ndërkombëtare. Diplomat shumë i dyshimtë! Vetë nuk e njeh Kosovën shtet.

Kryetari Serbisë provon që edhe KFOR-it t’ia kufizojë shtrirjen e kontrollit të terrenit: deri tek Ura e Ibrit! Ai vë kufij të rinj: nga Ura e Ibrit e tutje e llogarit Serbi; ai ecën gjurmëve të pretendentëve të hershëm serbë për ta trupëzuar Serbinë e madhe si p. sh.: nga I. Garashanini dhe shumë të tjerë deri te S. Milosheviqi. Vijues besnik i kësaj politike sot është edhe Vuçiqi me krerët e Listës serbe.  Kjo është si pararendje për të zhvendosur kufirin nga Rashka drejt Kosovës për të rrëmbyer ndonjë pjesë të saj në favorin e Serbisë së madhe.

Presidenti serb, si ish-ministër i qeverisjes së Milosheviqit me shumë arsye është stigmatizuar si pjesëmarrës indirekt në krimet ndaj popullatës civile gjatë luftës në Bosnjë; ai e mohon edhe masakrën e Reçakut në të cilën u masakruan qytetarët shqiptarë civilë dhe të paarmatosur nga ushtria dhe policia serbe; këto krime u panë edhe nga faktori ndërkombëtar.

Se pavarësia e Kosovës nga Serbia është çështje e përfunduar dhe e mbyllur, vërtetohet edhe nga fakti që e bëri të ditur edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë e Malit të Zi (asokohe, 2004) Vuk Drashkoviqi (më 18. 9. 2022, gazeta Express). Ai shtoi se në vizitën zyrtare në ShBA (2004), Sekretari amerikan i shtetit- Colin Powell, në administratën e presidentit Bush, i kishte thënë se Serbia e ka humbur Kosovën madje (ai) e përsëriti: “ Kosovo is gone” (Kosova ka shkuar)

BE-ja favorizon Beogradin

Zhvillimet e këtyre ditëve në Kosovë verifikuan dyshimin se BE-ja e favorizon Beogradin. Aksiomë. E vërtetë e padiskutueshme. Kjo u pa edhe nga reagimi i BE-së përkitazi me braktisjen e të gjitha institucioneve shtetërore të Kosovës nga zyrtarët serbë. Kjo u bë sipas diktatit të Vuçiqit dhe bashkërendimit të tij me Listën serbe për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit të gjerë serb nga vendimi i kryetarit të Serbisë sipas të cilit refuzohet projekti politik Paris-Berlin për zgjidhjen përfundimtare të mospajtimeve Prishtinë – Beograd. Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është një strategji politike për t’i sendërtuar pretendimet ekspansioniste të Beogradit ndaj Veriut të Kosovës. Zyrtarët e lartë të Brukselit, si të papërkorë që janë dëshmuar edhe deri më tash, sërish anojnë nga Beogradi për t’ia plotësuar kërkesat një organizate kriminale siç e quajnë vetë disa serbë korrektë partinë e Rakiqit e të Radoiçiqit- Listën serbe, e cila mbështetet edhe nga Vuçiqi!

Qesëndi politike! Shumë komike. Larot e politikës destruktive, zyrtarë të lartë të Brukselit kërkojnë t’i plotësohen kërkesat një organizate kriminale, krerët e së cilës hetohen e ndiqen nga organet e drejtësisë! Ata kërkojnë tani që të tërhiqet vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat RKS, të themelohet asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe, në realitet, kjo do të thotë se ata mbështesin anarkinë, kriminalitetin dhe mosfunksionimin e shtetit ligjor në këtë pjesë të Kosovës! Madje, këto kërkesa duket se vihen si kusht që serbët të kthehen në institucione.

Asociacioni nuk duhet të formohet përderisa liderët serbë, në krye me Vuçiqin, në fjalimet e tyre politike publike përpara qytetarëve, deklarohen dhe ekspozohen në tribuna me mbishkrimet: “ Këtu është Serbia!” Kryetari i Listës serbe G. Rakiq, në një fjalim publik, thekson: “ kjo është tokë serbe “ etj. Ai shtoi: “ Mbani parasysh se jemi këtu në tokën tonë” dhe duke iu referuar shqiptarëve, vazhdoi: “duke e marrë tokën serbe dhe duke e ngacmuar popullin tonë, ju po e rrezikoni paqen në këtë zonë dhe se kurrë nuk do ta sundoni Veriun e Kosovës!” Ky është asociacioni që e kërkon Rakiqi!

Bashkërenduesi i Rakiqit, kryetari serb për targat tha: “ …serbët nuk janë të interesuar për t’i ndërruar targat!” Nga citatet e sipërshtruara mund të kuptohet shumë qartë qëllimi i politikës serbe: e kërkojnë asociacionin për ta shpallur Veriun e Kosovës autonomi në hapin e parë dhe, më pas, për t’iu bashkuar Serbisë. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë (REL), siç shkruan gazetarja Sandra Cvetkoviq, sikundër deklarojnë disa punonjës të Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, por edhe të institucioneve të tjera, të cilët, nga frika e kërcënimeve të Listës serbe, kërkuan të jenë anonimë: dorëheqja nga vendi i punës po bëhet me detyrim dhe jo vullnetarisht sikundër thonë krerët e Listës serbe. Një punonjëse e kësaj Gjykate, në kushte anonimiteti, tha se është detyruar ta nënshkruajë dorëheqjen në takimin që drejtohej nga lideri i Listës Goran Rakiq. Ajo shtoi:  “Nëse nuk e nënshkruan dorëheqjen nga puna, ta djegin makinën!” Veprim frapant! Oktapod!

Disa zyrtarë të tjerë serbë thonë se G. Rakiq, I. Simiq etj. të Listës marrin nga dy-tri paga. Shumë punonjës të tjerë tregojnë  se kanë presion dhe kërcënime të ndryshme nga drejtuesit e Listës serbe për të dalë nga institucionet e Kosovës. Rakiqi dhe Simiqi ndjekin e zbatojnë urdhrin e Vuçiqit. Kjo është “demokracia “ e kryetarit serb dhe e Listës serbe; kjo është shkelja më e rëndë e të drejtave elementare të qytetarëve serbë të Kosovës që u bëhet vetëm për arsye politike nga Vuçiqi në bashkërendim me kriminelët e Listës serbe!

Vuçiqi sot (9 nëntor 2022) dëshmoi se dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës u bë sipas skenarit të tij. Ai nderoi ish-drejtorin e policisë të komunave  veriore Nenad Gjuriqin me Urdhrin e meritave të veçanta për arsye të refuzimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me fazat e konvertimit të targave ilegale serbe në RKS. Dorëheqjet e serbëve nga puna janë pjesë përbërëse të platformës politike të Vuçiqit për të imponuar formimin e asociacionit të komunave serbe.

Shihet hapur se largimi nga puna i qytetarëve serbë bëhet sipas diktatit të Beogradit zyrtar madje ata që nuk e zbatojnë këtë qëndrim, quhen tradhtarë! Qytetarët serbë nuk janë as kundër targave RKS, porse lirinë e shprehjes së mendimit, e kanë të kufizuar nga diktatura e politikës së Beogradit; në emër të tyre flasin: Rakiqi, Petkoviqi, Radoiçiqi etj. Petkoviqi bën edhe rolin e “zëdhënësit” të serbëve të Kosovës!

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka…