Preteni: Ligjet po i ndryshojnë pa asnjë analizë
Në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së Alternativës, Hasan Preteni, tha se politika e ka kapur gjyqësorin, dhe arrestimet që janë bërë kanë pas qëllim ‘manipulimin’ se në Kosovë po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Sipas Pretenit, në Kosovë ka krim të organizuar dhe shumë institucione bashkëpunojnë në kryerjen e veprimeve të tilla.
“Ka pas një element shumë bindës se si politika e ka kap gjyqësorin, flasin edhe disa fakte, ka qenë një kohë kur ka pas arrestime bombastike kur kamerat janë pozicionuar para institucioneve duke pritur se si titullarët e tyre do të dalin me pranga dhe asnjëri, as në aeroport, as në BQK, asnjëri prej tyre nuk është dënuar, ka dalë që i ka pengu dikujt në skenë dhe ka shkelë dinjitetin dhe integritetin e tij personal, dhe më pas nuk ka ndodh asgjë. Në dhjetor ishin tre arrestime bombastike por ato ndodhen duke tentuar të ‘mashtrohet’ Brukselin se Kosova po e lufton korrupsionin dhe ne i meritojmë vizat, kur e panë që nuk kaloi as ajo, se lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar”, u shpreh ai.
Sipas tij, Alternativa konsideron se ligjet po ndryshohen pa asnjë analizë, dhe kjo po bëhet me qëllim që të krijohet përshtypja që po luftohet korrupsioni.
Sipas Pretenit, sa herë që ndryshohen ligjet, ato janë më regresive se parapraket.
Ai tha se Alternativa do të kërkojë që ligjet mos të ndryshojnë pa ekspertizë. Sipas tij, mungon transparenca dhe llogaridhënia. “Alternativa gjithashtu kërkon nga Kuvendi që të realizojë misionin e vet të mbikëqyrja, të gjithë të ftohen në raportim, jo vetëm në komisione, jo vetëm Avokati i Popullit dhe Auditori, por të gjithë, janë më shumë se 50 institucione të pavarura, titullarët e të cilëve duhet të vijnë dhe tu nënshtrohen kontrollit, edhe të qytetarit edhe të Parlamentit”, ka deklaruar ai, transmeton “KP”.