Preu 66 drunj në mënyrë të palejueshme, i dyshuari del para gjykatës dhe kërkon falje
I akuzuari E.K është deklaruar fajtor dhe ka kërkuar falje pasi në tetor të vitit 2018 kishte prerë 66 drunj të llojit “bung”, në fshatin Goshicë të Vitisë.
Këtë deklarim, i akuzuari e ka bërë në seancën e shqyrtimit fillestar, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Kujtesa Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E pranoj fajësinë ashtu siç është”, ka thënë i akuzuari.
Gjatë deklarimit rreth fajësisë, i akuzuari ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptojë një dënim minimal.
Ky pranim i fajësisë nuk është kundërshtuar nga prokurorja Fazliu dhe më pas si i tillë është aprovuar nga gjykatësja Blerina Jakupi-Ramadani.
Gjykatësja Jakupi-Ramadani ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 7 tetor 2021.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj E.K ,i cili ngarkohet se më 17 tetor 2018, në terrenin e fshatit Goshicë, vendin e quajtur “Tromexh”, të administruar nga Autoriteti Pyjor Komunal, zyra në Viti, me qëllim vjedhje, ka prerë në mënyrë të palejueshme me sharrë motorike 66 drunj të llojit “bung”, me diametër 12-13 cm, me vëllim të përgjithshëm prej 3.56m3.
Me këtë veprim, i pandehuri i ka shkaktuar të dëmtuarës AKP, dega në Gjilan, dëm material në vlerë prej 456 euro.
Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli” nga neni 358, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një vit.