Prezantimi i planit të ri për Brexit-in do të shtyhet deri në qershor
Plani i ri për Brexit-in i kryeministres, Theresa May nuk do të publikohet apo debatohet deri në fillim të qershorit, ka njoftuar Qeveria britanike.
Kryeministrja May vazhdon të përballet me presion nga deputetët e saj për të dhënë dorëheqje pasi ka bërë me dije se do të dërgojë në Parlament një plan të ri të Brexit-it.
Theresa May më herët kishte thënë se projektligji do të prezantohet të premten.
Ajo që deri më tani dihet është se Projektligji për Marrëveshjen e Tërheqjes, përfshinë edhe një votim që u jep të drejtën ligjvënësve të votojnë për mbajtjen ose jo të një referendumi tjetër për Brexit-in.
Por kjo nuk ka mjaftuar për të siguruar mbështetjen e nevojshme të ligjvënësve pasi reagime kundër planit janë bërë menjëherë nga ligjvënësit e të dy krahëve, pozitës dhe opozitës.
Një ligjvënës i partisë së saj, Duncan Smith, e ka sugjeruar kryeministren May të tërheqë projektligjin e ri të Brexit-it për të shmangur humbjen dhe poshtërimin.
Britania është dashur të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars por kryeministrja Theresa May, nuk arriti të bindë ligjvënësit britanikë për të votuar marrëveshjen e arritur me udhëheqësit e BE-së.
Megjithatë, ajo ka arritur të marrë pajtimin e BE-së për shtyrjen e afatit të Brexit-it deri më 31 tetor, datë kjo kur Britania duhet të dalë nga BE-ja me ose pa marrëveshje.