Prezantohen ardhjet e reja te Kosova (Video)
Sot janë prezantuar tri ardhjet e reja tek Përfaqësuesja e Kosovës.
Bëhet fjalë për Fisnik Asllanin, Elvis Rexhbeçaj dhe Eliot Bujupi, që janë ftuar në grumbullim nga trajneri Franco Foda. Federata e Futbollit të Kosovës, e ka ndarë një video nga prezantimi i tyre.
“Unë jam Elvis Rexhbeçaj, lojtari i ri i Kosovës. Forca Kosova,” e filloi ylli i Augsburgut.
“Unë jam Fisnik Asllani, lojtari më i ri i Kombëtares së Kosovës. Krenari me përfaqësu Kosovën. Djemtë dhe stafi në përgjithësi më kanë pritë shumë mirë. Forca Kosova”, e vazhdoi Asllani.
Teksa Bujupi tha: “Unë jam Eliot Bujupi, lojtari i ri i Kosovës. Mezi s’kam prit me vesh fanellën e Kosovës”.
Derisa të tre thanë njëzëri “Forca Kosova”.
Rexhbeçaj, 26-vjeçar, luan te Augsburg në Bundesligën e Gjermanisë, ku e ka nisur shumë mirë, ku edhe ka shënuar një gol të jashtëzakonshëm.
Asllani, 22-vjeçar, luan te Elversberg, i huazuar nga Hoffenheim, ka treguar formë të lartë në këtë fillim në Bundesliga 2. Bujupi, 18-vjeçar, luan te Stuttgart U19, ku ka shënuar tetë gola në katër paraqitjet e para këtë sezon, teksa vjen edhe pas paraqitjeve të mira me Kombëtaren e Kosovës U-19.
Të premten, më 6 shtator, Kosova do ta zhvillojë ndeshjen kundër Rumanisë. Me fillim nga ora 20:45 loja do të luhet në Prishtinë, në “Fadil Vokrri”. Më 9 shtator, skuadra e udhëhequr nga Foda do të zhvillojë ndeshjen kundër Qipros.