Prezantohen rezultatet e dy raporteve të auditimit të performancës dhe rezultatet e para nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2023

29 prill 2024 | 18:02

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në konferencë për media të hënën prezantoi  gjetjet dhe rekomandimet e dy raporteve të auditimit të Teknologjisë së Informacionit: “Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit” dhe “Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (SIMSF)”. Ajo tregoi se mos funksionalizimi i këtyre dy projekteve i shkaktoi buxhetit të shtetit mbi 11 milionë euro dëme.

Ndërsa sa i përket auditimeve financiare dhe të pajtueshmërisë për vitin 2023, znj. Spanca theksoi se rezultatet e para tregojnë nevojën për marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet publike për të forcuar kontrollet në fushën e planifikimit të buxhetit dhe menaxhimin e proceseve të prokurimit publik.

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, njoftoi mediat se ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Audutimit, i cili shpalos progresin e arritur në nivelin e përgjithshëm të performancës së institucionit për vitin 2023.

Fjala e plotë e Auditores së Përgjithshme në konferencën për media:

Të nderuara media,

Të nderuar qytetarë,

Zyra Kombëtare e Auditimit, është në proces të realizimit të Planit Vjetor të Auditimit 2023/2024 të dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në tetor të vitit të kaluar. Siç ju kemi informuar edhe në konferencën paraprake, sipas planit të auditimit jemi duke kryer gjithsej 123 auditime të llojeve të ndryshme, si: Financiare, pajtueshmërisë, performancës, prokurimit dhe Teknologjisë së Informacionit. Nga janari i vitit 2024 e deri më tani, ne kemi publikuar pesë raporte të auditimit të performancës.

Të nderuar, media, dua të ju njoftoj se sot do të publikohen dy raporte të teknologjisë së informacionit dhe të njëjtat janë dërguar edhe në entitetet e audituara dhe në Kuvend si:

Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit; dhe

Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik

Tani më lejoni t’i prezantoj rezultatet e këtyre auditimeve:

Auditimi- Modernizimi i Sistemit të Edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit Gjatë viteve 2013-2017, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka zhvilluar projektin për digjitalizimin e arsimit parauniversitar në Kosovë, në vlerë prej 4,931,000 euro. Për zhvillimin e këtij projekti është negociuar marrëveshja për kredi të butë, përmes bankës austriake UniCredit Bank Austria, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 dhe do të paguhet deri më 30 shtator 2032 në një vlerë totale 5,637,519 euro (përfshirë kryegjënë, interesin, tarifat). Me zhvillimin e këtij projekti ishte paraparë të krijohej sistemi me dy module, për komponentin e mësimit elektronik dhe komponentin e digjitalizimit të provimit të maturës, si dhe serverët për vendosjen e sistemit të zhvilluar.

Rezultatet e auditimit tregojnë se projekti në fjalë nuk është funksionalizuar dhe nuk janë arritur qëllimet e tij për e-edukimin dhe digjitalizimin e provimit të maturës. Rrjedhimisht, dëmi i shkaktuar i buxhetit të shtetit për shkak të dështimeve në funksionalizimin e këtij projekti është 5,637,519 euro. Për këtë projekt do të vazhdohet të paguhet në formë të kësteve të kredisë deri në vitin 2032.

Ministria (MASHTI) ka dështuar në projektin për digjitalizimin e arsimit para-universitar. Ky projekt i financiar plotësisht nga huamarrja është realizuar pa planifikim paraprak, i cili është përcjell me mangësi gjatë zhvillimit të cilat kanë ndikuar në mos arritjen e qëllimit dhe përmbushjes së misionit të organizatës. Për më shumë, Ministria nuk ka siguruar pajisjet thelbësore dhe infrastrukturën harduerike dhe të rrjetit për qëllime të këtij projekti. Sistemi i zhvilluar nuk ka arritur të zbatohet në shkolla për shkak të mungesës së pajisjeve të nevojshme dhe qasjes në rrjet për përdoruesit. Rrjedhimisht, ky sistem është jo funksional, duke rezultuar në dëmtim të buxhetit  të Kosovës prej rreth 5.6 milion euro, të cilat janë huamarrje dhe duhet  të shlyhen deri në vitin 2032.

Ministria nuk ka arritur të ofrojë dokumentacionin e nevojshëm dhe qasjen në sistemet e informacionit, të kërkuara gjatë auditimit. Kjo ka kufizuar dukshëm fushëveprimin e auditimit. Për më tepër, Ministria nuk ka arritur të sigurojë efikasitetin e produktit/sistemit të projektit, veçanërisht në lidhje me aftësinë e tij për t’i shërbyer qëllimit të tij zhvillimor, e aq më pak që sistemi ka mbetur i pashfrytëzuar dhe i pa mirëmbajtur për një periudhë të gjatë kohore.

Ministria nuk ka arritur të menaxhoj siç duhet me projektin duke dështuar të caktoj menaxher të projektit dhe personel përgjegjës. Ministria ka kryer pagesën për punën e realizuar nga Operatori Ekonomik pa u bërë ende pranimi nga komisioni i pranimit, duke mos arritur të siguroj se produkti i pranuar është në pajtim me kontratën. Rrjedhimisht, projekti mbetet i pa raportuar si i përfunduar, me pagesën përfundimtare. Kjo pagesë nuk është e regjistruar në SIMFK si shpenzim.

Gjithashtu, Ministria nuk ka arritur të sigurojë monitorimin e zbatimit të marrëveshjes, prandaj nuk kishte raporte se ky sistem i zhvilluar është mirëmbajtur dy vite pas pranimit, siç është paraparë në marrëveshje. Për më tepër, parametrat e sigurisë që sigurojnë konfidencialitetin dhe mirëmbajtjen e qasjes së sistemit nuk janë zbatuar, duke rezultuar në humbjen e qasjes në sistem dhe pajisjet përkatëse.

Andaj, MAShTI ka mangësi në qeverisjen e operacioneve të TI-së, pasi që nuk ka bërë identifikim të qartë të kërkesave dhe planifikimin e nevojave për zhvillimin e projektit të TI-së, zhvillimin e sistemit dhe sigurimin e infrastrukturës harduerike, si dhe nuk ka drejtuar dhe monitoruar efektivisht zbatimin e projekteve të TI-së në MAShTI, për përmbushjen e misionit të vet.

Me qëllim të adresimit të çështjeve të identifikuara lidhur me menaxhimin dhe zbatimin e projektit të teknologjisë së informacionit “Modernizimi i sistemit të edukimit në Kosovë përmes e-Edukimit”, si dhe, menaxhimin e projekteve të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në përgjithësi, ne kemi dhënë 14 rekomandime për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Auditimi – Sistemi Informativ për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik – Ministria e Shëndetësisë nga viti 2013 ka investuar në digjitalizimin e menaxhimit të stokut farmaceutik në institucionet shëndetësore, për furnizim me barna dhe material shpenzues të listës esenciale dhe jo esenciale për pacientë. Megjithatë, ka mangësi në shtrirjen dhe përdorimin e sistemit, si dhe në menaxhimin e qeverisjes së TI-së dhe sigurinë e të dhënave.

Rezultatet e auditimit tregojnë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të zbatoj plotësisht Sistemi për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik (FMSF) në të gjitha nivelet shëndetësore edhe pas investimeve mbi 6.1 milion euro në shtrirje të infrastrukturës harduerike, që të mundësojë zbatimin e sistemeve të informacionit shëndetësor, përfshirë edhe SMSF-në. Sistemi SMSF nuk shfrytëzohet nga të gjitha njësitë shëndetësore dhe shumica e barnatoreve të reparteve të spitaleve dhe klinikave dhe Qendrave të Mjekesisë Familjare (QMF) nuk realizojnë transaksione në SMSF deri te dalja për pacient. Gjithashtu, MSh-ja dhe ShSKUK-ja nuk i kanë harmonizuar Procedurat Standarde të Operimit (PSO) me proceset e punës në SMSF. Kjo rezulton me menaxhim jo të mirë të stokut farmaceutik dhe në planifikim jo të mirë për alokimin e burimeve në blerjen e medikamenteve, vështirësi në monitorimin e Institucioneve Shëndetësore për shpenzimin e stokut dhe shfrytëzimin sa më racional të barnave dhe materialit medicinal të shpenzuar nga Institucion Shëndetësore.

Ministria ka mangësi në ndarjen e përgjegjësive për administrimin e SMSF-së duke krijuar konflikt të përgjegjësive dhe vështirësi në koordinim dhe komunikim. Kjo mosndarje e përgjegjësive ka shkaktuar konfuzion për përdoruesit e SMSF-së, ngecje në ofrimin e shërbimeve në kohë dhe rrezikon integritetin e informacionit shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të hartoj politikat dhe procedurat e TI-së, duke rrezikuar në mbrojtjen e aseteve të TI-së, si dhe besueshmërinë dhe konfidencialitetin e të dhënave të sistemeve të informacionit me rëndësi strategjike për MSh-në. Po ashtu, MSh-ja nuk zbaton kontrolle në menaxhimin e ndryshimeve në sisteme të informacionit. Si pasojë janë realizuar ndryshime pa testim dhe pa miratim nga personat e autorizuar, përpara zbatimit në mjedisin real. Kjo rrezikon të ketë ndryshime të paautorizuara ose aksidentale të cilat mund të kenë pasoja në funksionimin e sistemit.

Ministria nuk ka hartuar plan për menaxhimin e rreziqeve për sisteme të informacionit. Mungesa e analizës dhe vlerësimit të rreziqeve dhe hartimit të planit bën që Ministria të mos jetë e përgatitur për situata të papritura dhe mos të ketë mekanizma për të zbutur rreziqet dhe për të rikuperuar incidentet e mundshme.

Kontrollet për siguri të informacionit nuk zbatohen duke rrezikuar në mbrojtjen e privatësisë së pacientëve, mbrojtjen e aseteve të informacionit, ruajtjen e integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë në SMSF. Zyrtarëve të TI-së dhe OE-së që mirëmbajnë sistemin iu është lejuar qasje e plotë në aplikacion dhe bazën e të dhënave me llogari të papersonalizuara. Poashtu, një llogari është shfrytëzuar nga më shumë se një përdorues. Nuk zbatohet nënshkrimi i deklaratës së konfidencialitetit nga personat fizik dhe juridik që kanë qasje në SMSF dhe nuk kanë realizuar trajnime të ndërgjegjësimit të stafit lidhur me sigurinë e informacionit.

Ministria e Shëndetësisë nuk ka mekanizma për të siguruar vazhdimësinë e punës në SMSF. Mungesa e infrastrukturës së dyfishtë harduerike për rikthimin e të dhënave të SMSF-së në kohë sa më të shpejtë dhe mosruajtja e kopjes rezervë në një lokacion tjetër gjeografik, në rast të fatkeqësive natyrore, sulmeve kibernetike apo faktorëve të tjerë që mund të shkaktojnë ndërprerje të sistemit paraqet rrezik për humbjen e të dhënave dhe ngecjen e ofrimit të shërbimeve për pacientë.

Sistemi për Menaxhimin e Stokut Farmaceutik-SMSF nuk ka ndërlidhje në disa module me sistemet qendrore dhe me sistemet shëndetësore. Kjo ka ndikuar që të regjistrohen OE-të dhe përdorues të njëjtë në sistem më shumë se një herë, si dhe duke konsumuar kohën e zyrtarëve për realizimin e punës së njëjtë në dy sisteme. Gjithashtu, nuk ka monitorim të mirë për pacientët që furnizohen me terapinë e njëjtë brenda periudhës së shkurtër kohore. Kjo ka lejuar vendosjen e të dhënave të pasakta, duke rrezikuar cilësinë e informacionit të regjistruar.

Ministria ka rrezikuar mbrojtjen e privatësisë së pacientit duke mos kufizuar në SMSF qasjen për rolin “Administrator” për të lexuar të dhënat e pacientit. Përdoruesit nuk mund të shfrytëzojnë të gjitha raportet e prodhuara nga SMSF për analiza të ndryshme, për shkak të pasaktësisë së raporteve, pamundësisë së qasjes në raporte dhe gjenerimit të ngadaltë të raporteve. Këto mangësi krijojnë punë shtesë për zyrtarët për verifikim manual të raporteve dhe rrisin rrezikun e gabimeve, në pamundësinë e përdorimit racional të barnave nga Institucionet Shëndetësore dhe marrjes së raporteve në kohë.

Për adresimin e çështjeve të identifikuara lidhur me Sistemin e Menaxhimit të Stokut Farmaceutik ne kemi dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Shëndetësisë, përfshirë Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe Institucionet Shëndetësore.

Siç e përmenda në fillim të konferencës, Zyra Kombëtare e Auditimit është në proces të zbatimit të Planit Auditues për vitin 2023, dhe rezultatet e para të auditimit tregojnë se ekziston nevoja për marrjen e masave të menjëhershme nga institucionet publike për të forcuar kontrollet në fushën e planifikimit të buxhetit dhe menaxhimin e proceseve të prokurimit publik.

Marrë parasysh se në baza vjetore nënshkruhen më shumë se 10 mijë kontrata përmes procedurave të prokurimit publik dhe për shkak të rëndësisë materiale që kanë këto kontrata si në aspektin financiar edhe në rritjen e mirëqenies së qytetarëve, prokurimi publik mbetet në fokus të auditimeve tona.

Sipas vëzhgimeve të para kemi vërejtur se hyrja në obligime e organizatave buxhetore pa buxhet, pagesa e projekteve kapitale nga buxheti i projekteve tjera mirëpo edhe nënshkrimi i kontratave për projekt të cilat nuk janë fare në ligjin për ndarje buxhetore është bërë një dukuri e shpeshtë negative e posaçërisht nga niveli lokal. Ndër çështjet më të përhapura të identifikuara gjatë auditimit del se ka:

  • Mangësi në regjistrim dhe shpalosje të pasurisë mbi dhe nën 1000 euro;
  • Keqklasifikim të shpenzimeve nëpër kategori ekonomike;
  • Ndarje të tenderëve për punë të natyrave të njëjta;
  • Mangësi në menaxhimin e Subvencione dhe Transfereve;
  • Kryerja e punimeve me paramasë dhe parallogaritja pa hartimin e projekteve ekzekutuese.
  • Menaxhimi i kontratave dhe vlerësimi i performancës së kontraktuesve nuk është mbajtur dhe arkivuar përmes sistemit elektronik të prokurimit publik (e-prokurimi).
  • Shpërblimi i operatorit ekonomik (OE) me kontratë pa përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit/njoftimit për kontratë.
  • Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim si rezultat i vonesës së hartimit të specifikave teknike.
  • Tejkalim i sasive indikative në kontratën publike kornizë
  • Vonesat në realizimin e projekteve. etj

Prandaj, theksoj se nënshkrimi i kontratave pa fonde të mjaftueshme, marrja e buxhetit nga një kod buxhetor i një projekti tjetër, përveç që e vendosin shtetin në një pozitë të vështirë financiare, e prishin ekuilibrin financiar dhe e fusin shtetin në obligime të pa planifikuara. Në rastet e projekteve kapitale që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, kjo ndikon negativisht në zbatimin me sukses të projektit. Duke ia shtuar kësaj edhe pagesën përmes përmbaruesit, gjykatave dhe shpenzimet e interesit dhe ato administrative e rrisin koston e shtetit pa nevojë dhe ulin cilësinë e shërbimeve apo punëve të kontraktuara.

Të nderuara media,

Dua t’ju njoftoj se kam finalizuar dhe dërguar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2023.

Ky raport shpalos progresin e arritur në nivelin e përgjithshëm të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit, karshi detyrimeve dhe mandatit kushtetues e ligjor.

Për vëmendjen tuaj, po shkoqis disa elemente të raportit:

  • Plani Vjetor i Auditimit për sezonin 2022/2023 është përmbushur sipas parashikimeve të bëra. 123 raporte të auditimit janë publikuar në uebfaqen e ZKA-së. Gjithashtu dy auditime me interes të lartë fushëveprimi i të cilave është i kufizuar i janë dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe entiteteve subjekt i auditimit. Për të nxitur përmirësimin e menaxhimit dhe shfrytëzimit të fondeve publike, me efikasitet, efektivitet dhe më qëllim të arritjes se vlerës për para në vitin 2023 (që mbulojnë periudhën 2022) kemi dhënë 878 rekomandime;
  • ZKA ka vazhduar bashkëpunimin konstruktiv me komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës;
  • Bashkëpunimi me palët tjera të interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar;
  • Përfaqësimi profesional i ZKA-së në mekanizma dhe ngjarje të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare si INTOSAI dhe EUROSAI është rritur.
  • Performanca e ZKA-së për këtë vit ka qenë subjekt i vlerësimeve të disa mekanizmave ndërkombëtar dhe vendor siç janë: SIGMA, Raporti i Progresit, Barometri ballkanik, dhe KDI. Karshi opinionit publik, nivelit profesional dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare të auditimit, këto vlerësime e rendisin Zyrën Kombëtare të Auditimit në nivele të larta pozitive.

Të nderuara media,

Për fund por jo për nga rëndësia, siç ju kam informuar edhe në konferencat paraprake, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe detyrimet tjera ligjore, ZKA i ka dhënë fokus të rëndësishëm trajtimit dhe adresimit të çështjeve me mundësi potenciale për mashtrim e korrupsion.

Bazuar në nenin 24 të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm dhe ZKA-në, si në bazë të bashkëpunimit, por dhe bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe ZKA-së ( nr. 365/ datës 16 mars 2023) nga analizimi i të gjitha raporteve të auditimit të rregullsisë dhe të performancës, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit (Prokurorin e Shtetit) për vite me radhë i janë dërguar një numër i rasteve mbi dyshimin e mashtrimeve dhe korrupsionit, ku nga Raportet e Auditimit për vitet 2018 -2022 janë dërguar rreth 324 raste.

Rastet e identifikuara janë kryesisht nga fusha e prokurimit duke përfshirë procesin e prokurimit, lidhjen e kontratave, shpenzimet në investime kapitale dhe mallra. Fushat e tjera përfshijnë subvencionet dhe transferet, punësimin dhe të hyrat nga qiratë.

Prokurori i Shtetit, bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit me ZKA-n, me datën 13 mars 2024 ka përcjellë informatat për rastet e auditimit lidhur me statusin e rasteve të ZKA-së të cilat janë proceduar në Prokurorinë e Shtetit.

Ju informoj se në dokumentin e pranuar nga Prokurori i Shtetit, statusi i rasteve është paraqitur për 143 raste ( raste janë per vite të ndryshme) dhe është si në vijim: janë ngritur vetëm 3 aktakuza, 81 raste janë në proces të hetimit (pra janë ndërmarrë veprimet hetimore) dhe për 59 raste me raport të Prokurorit rastet janë mbyllur.

Ju faleminderit për vëmendje!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas Burna Boy, edhe DJ me nam ndërkombëtar - Black…