Prezantohet master plani i ujitjes së tokave bujqësore

15 tetor 2020 | 13:22

Të enjten është mbajtur takimi i 11-të i Këshillit Ndërministror të Ujërave.

Ky takim është kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti,ku të pranishëm kanë qenë edhe ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, zëvendësministri i Shëndetësisë, Pjetër Ndou, si dhe ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.

Fillimisht, Hoti ka falënderuar vendet donatore, veçmas Zvicrën dhe Gjermaninë, që e kanë ndihmuar zhvillimin e sektorit të ujërave në vendin tonë, me ç‘rast ka theksuar  përkushtimin maksimal të qeverisë për sektorin e ujërave, si një sektor tepër i rëndësishëm.

Në këtë takim është miratuar rekomandimi i studimit të fizibilitetit për ndërtimin e kanalit të Lepencit dhe digave në Firajë dhe Shtime në dy faza, mbi bazën e të cilit do të aplikohet në rundin e radhës të Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF) për dizajnin preliminar, vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, si dhe përgatitjen e dosjes së tenderit të këtij projekti, përmes të cilit do të sigurohet uji i pijshëm për rajonin e Gjilanit, Ferizajt dhe Prishtinës.

Po ashtu, në këtë takim është miratuar edhe korniza investimeve- Master plani për ujitje si një projekt i rëndësishëm strategjik i cili do të ketë ndikim të madh në sektorin e bujqësisë, përmes të cilit do shtohet mbulueshmëria e ujitjes së tokave bujqësore.  Me këtë rast, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë se master plani  parasheh përfshirjen e të gjitha tokave bujqësore në sistemin e ujitjes. Sipas Mustafës, me zbatimin e këtij master plani, do të rritet hapësira e tokave bujqësore që përfshihen nën ujitje, nga 20 mijë hektarë në 90 mijë hektarë.

Më tutje, ai ka sqaruar se për zbatimin e këtij master plani, do të nevojiten 590 milionë euro investim.

“Ky investim në ujitje, do të jetë për bujqësinë tonë, për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe të ushqimit cilësor për familjet tona”, ka thënë Mustafa.

Ndër të tjera, në këtë takim është shqyrtuar edhe qasja për vendosjen e caqeve dhe treguesve të performancës për kompanitë rajonale të ujësjellësve dhe kompanive rajonale të ujitjes, me qëllim të përmirësimit të qeverisjes korporative të këtyre ndërmarrjeve.

Gjithashtu është diskutuar edhe gjendja aktuale e projekteve në sektorin e ujërave për të cilin u kërkua të bëhet një analizë me e hollësishme, si dhe u miratuan rekomandimet sa i përket “Raportit për financimin e borxhit ndërkombëtar për investime në infrastrukturën ujore të Kosovës – aspekti ligjor dhe ekonomik”.

Në kuadër të diskutimit ishte edhe shqyrtimi i zbatimit të dispozitave të ligjit për ujëra, ku Këshilli ka marrë vendim që të kërkojë nga institucionet përgjegjëse raport për zbatimin e ligjit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se…