Prezantohet platforma më e re e Telekomit, VALA TV
Telekomi i Kosovës ka prezantuar platformën më të re, shërbimin më elitar, inovacionin e fundit, VALA TV.
Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka thënë se për këtë platformë kanë punuar dhe janë përkushtuar shumë.
“Kjo platformë u mundëson të gjithë konsumatorëve përdorimin e kanaleve televizive kudo që ata ndodhen, gjatë të gjithë kohës me një cilësi jashtëzakonisht të lartë audio dhe video”, ka thënë ai.
Istrefi ka thënë se Telekomi i Kosovës, si ofrues i deritanishëm i shërbimeve të IPTV-së, ka bërë investime të mëdha në rrjetin e fijeve optike, duke u renditur ndër rrjetet më moderne në rajon.
“Falë këtij investimi, Telekomi i Kosovës, përveç ofrimit të shërbimeve të internetit dhe IPTV-së, nga sot do të ofrojë edhe shërbimin OTT (Over the Top) në rrjetin e telefonisë mobile dhe në atë fikse, duke u fuqizuar edhe më tej si kompani lider në fushën e komunikimeve. Shërbimi VALA TV do të ofrojë një qasje të lehtë dhe të personalizuar të konsumatorit përmes një aplikacioni të krijuar posaçërisht për këtë qëllim, i cili tashmë mund të gjendet në “App Store” dhe “Play Store”. Nëpërmjet këtij aplikacioni, konsumatorët do të kenë mundësi jo vetëm të përjetojnë eksperiencën dhe cilësinë e shkëlqyer të shërbimeve televizive, por në të njëjtën kohë mund të përdorin të gjitha elementet interaktive të të shikuarit në TV, në çdo moment dhe në çdo vend”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi.
Ai ka shtuar se në platformën VALA TV bëjnë pjesë kanalet televizive më të shikuara të vendit, por edhe ato Pay TV, duke bërë të mundur që konsumatori të ketë zgjedhje të shumta për këtë shërbim.
“Kjo e bën VALA TV operatorin më të rëndësishëm dhe më të kërkuar në Kosovë, për sa i përket llojllojshmërisë së shërbimeve të telekomunikimit. Dhe ne, sot, prezantuam diçka që synojmë të bëhet preferenca numër një për ofrimin e platformave televizive nëpërmjet rrjeteve digjitale, duke sjellë dhe inovacionin e televizionit të gjeneratës tjetër, për t’i përmbushur pritjet dhe kënaqshmërinë e përdoruesve të kësaj platforme”, është shprehur Istrefi.
“Kjo eksperiencë sjell së bashku me TV tradicional edhe shërbime mediatike të tjera si video on demand, një arkiv apo bibliotekë, e cila është kategorizuar sipas llojit të përmbajtjes dhe plotëson më se miri kërkesat e klientëve të të gjitha moshave me kategori të shumëllojshme filmash, serialesh, dokumentarësh, muzikë, një seksion të veçantë për miqtë tanë më të vegjël, si edhe personalizim e kontrolle të tjera të përmbajtjes”.
Ai ka theksuar se krahas prezantimit dhe lansimit të këtij produkti më të ri dhe tejet të kërkuar nga konsumatorët si dhe produktet e tjera që priten të lansohen gjatë këtij viti, sfidë e përhershme e Telekomit të Kosovës gjithnjë do të mbetet ofrimi i produkteve inovative në botën digjitale.
“Përmbushja e kërkesave dhe realizimi i plotë i pritjeve dhe kujdesit ndaj konsumatorëve tanë, andaj, e them hapur dhe pa asnjë dilemë se do të jemi të vendosur dhe të përkushtuar që Telekomi i Kosovës të prijë gjithnjë si lider i shërbimeve në vend në hap me trendet e të arriturave teknologjike botërore. Krejt në fund të prezantimit të kësaj ngjarje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të thellë për të gjithë konsumatorët e Telekomit të Kosovës, të cilët prej vitesh rrugëtojnë pandashëm me kompaninë tonë, që mban primatin në vend, me numrin më të madh të konsumatorëve, që me pasion përdorin produktet tona. Gjithashtu, shpreh falënderimin tim për të gjithë punonjësit e vyer të Telekomit të Kosovës. Pikërisht këto janë faktet që neve na bëjnë edhe më të vendosur dhe të palëkundur drejt arritjes së qëllimeve tona, që Telekomi Kosovës të mbetet edhe për shumë kohë lider i pakontestuar në vend dhe gjithsesi zë i fuqishëm i konsumatorit”, ka thënë Istrefi.
/Epoka e re/