Prezantohet projekti i objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në prezantimin e projektit të objektit të ri për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Universiteti i Prishtinës, ndërsa udhëhiqet dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projektit (UNOPS).
Ministrja Nagavci me këtë rast tha se, realizimi i këtij projekti shënon një hap përpara drejt përmirësimit të infrastrukturës akademike në Kosovë, në veçanti drejt zgjidhjes së problemit shumëvjeçar të njërit prej fakulteteve të para të Universitetit të Prishtinës.
Nagavci vlerësoi se, FShMN do të ketë një objekt i cili përputhet me standardet dhe kërkesat e kohës, duke ofruar kushte optimale për mësim dhe për ushtrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore, ku përmirësimi i kushteve të punës për studentët dhe stafin akademik, padyshim do të rezultojë edhe me përmirësimin e cilësisë.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci tha se, prioritet i Qeverisë është përmirësimi i sistemit të arsimit dhe një nga pesë objektivat e Planit Strategjik të Arsimit për periudhën 2022-2026.
Ajo theksoi se, përveç investimeve në infrastrukturë, do të punohet edhe për zbatimin e standardeve evropiane të cilësisë, ndërlidhjen më të mirë të programeve universitare me tregun e punës, si dhe për rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies në institucionet publike të arsimit të lartë.
Ministrja Nagavci falënderoi ambasadorin i BE-së, Tomáš Szunyog, për mbështetjen dhe kontributin për zhvillimin e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Ambasadori i BE-së, Tomáš Szunyog tha se, objekti i FShMN-së është dizajnuar që të ofrojë standarde evropiane për studentët dhe mësimdhënësit, kushte këto të cilat do të kontribuojnë në ngritjen e cilësisënë arsim, e cila është një nga prioritetet në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama vuri në theks se, projekti i prezantuar ndër të tjera do tu ofrojë mundësi nënave që krahas studimit të kenë hapësirë edhe për rritjen e fëmijëve.
Ndërsa, rektori i Universitet të Prishtinës, Naser Sahiti foli për problemet me të cilat janë ballafaquar studentët dhe profesorët e këtij fakulteti në mungesë të një objekti adekuat. Sahiti theksoi se katër fakultete të UP-së, përfshirë edhe atë të Mjekësisë, janë të ndërlidhura ngushtë me kuadrot që dalin nga ky fakultet.