Prezantohet softueri për cilësinë e ajrit
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Albena Reshitaj, ka prezantuar softuerin për paraqitjen në kohë reale të të dhënave për cilësinë e ajrit në Kosovë.
Me këtë rast, ajo ka thënë se qasja në këto të dhëna i jep mundësi MMPH-së që të marrë vendime dhe masa drejt zvogëlimit të ndotjes së ajrit.
Reshitaj në një konferencë për medie, ka thënë se të dhënat për kualitetin e ajrit deri tash janë publikuar vetëm nga stacioni pranë Ambasadës Amerikane, dhe tash këto informacione janë për ministrinë dhe opinionin ku do të kenë pesë lloje të grimcave.
Ajo ka thënë se informacionet do të mblidhen nga tetë stacione monitoruese.
Reshitaj ka bërë me dije se qeveria amerikane dhe JICA japoneze janë duke punuar në rritjen e numrit të këtyre stacioneve në qytete të tjera.
Ministrja Reshitaj ka thënë se janë disa plane afatmesme dhe afatgjatë që do t’i ndërmarrin për zvogëlim të ndotjes së ajrit, por sipas saj duhet kuptuar se këto problematika nuk zgjidhet për një muaj apo një vit.
Ajo ka theksuar se janë mobilizuar me institucionet tjera dhe beson se secila ministri dhe komunë do ta jap maksimumin për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë.
/Epoka e re/